Site icon Telegrafi

Ferizaj realizon një varg aktivitetesh për nder të ditës së shëndetësisë

Komuna e Ferizajt, pikërisht drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me institucionet shëndetësore dhe me spitalin Rajonal në Ferizaj , me disa aktivitete kanë shënuar ditën e shëndetësisë në këtë komunë. Për shakë të festës zyrtare të Bajramit dhe për shkak të vikendit këto aktivitete janë realizuar një ditë më herët.

Më 15 qershor të vitit 1999 pas përfundimit të luftës mjekët e kësaj komune ishin kthyer në Ferizaj dhe kishin nisur punën nëpër punkte shëndetësore, andaj në shenjë të shënimit të kësaj dite, institucionet publike në Ferizaj kanë realizuar një varg aktivitetesh.  Pikërisht në këtë ditë nga viset malore ishin kthyer në qytet edhe qytetarët dhe ushtar të UÇK-së.

Përveç homazheve, dhurimit të gjakut e disa aktiviteteve të tjera, institucionet kanë improvizuar edhe një aktivitet tjetër se si intervenojnë ekipet emergjente mjekësore në raste të fatkeqësive natyrore apo në aksidente të komunikacionit e të tjera.

Kemajl Emini, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Ferizajt, njëherësh organizator i gjithë këtyre aktiviteteve, ka thënë për Telegrafin se që nga mëngjes janë realizuar një varg aktivitetesh për ta shënuar ditën e Shëndetësisë në Ferizaj.

“Në mëngjes janë organizuar homazhe te varrezat e dëshmorëve, pastaj është organizuar dhurimi i gjakut, manifestimi i institucioneve shëndetësore duke përfshirë spitalin, institutin kombëtar, qendrat tjera rehabilituese shëndetësore e të tjera. Ndërkohë kemi improvizuar një aktivitet se si intervenojnë stafi mjekësor në rast të fatkeqësive natyrore apo aksidenteve, derdhjes së gjakut etj. Ky ushtrim fushor në të cilin kemi improvizuar 13 raste të ndryshme është realizuar në bashkëpunim edhe me ekipet shëndetësore nga Shtimja, Kacaniku, Vitia me qëllim që në raste të tilla të gjithë mund të bëhemi sëbashku për një kohë të shkurtër”, ka thënë Emini.

Fikret Arifi, drejtor i spitalit rajonal në Ferizaj, ka thënë se ekipet mjekësore kanë bashkëpunuar mjaftë mirë për t’i realizuar gjithë këto aktivitete të cilat e simbolizojnë ditën e shëndetësisë në Ferizaj.

“Ekipet kanë bashkëpunuar me shëndetësinë primare, ndërkohë është realizuar edhe transfuzioni i dhurimit të gjakut ku dhjetëra punonjës e qytetar kanë qenë pjesë e këtij organizimi dhe në mesin e tyre edhe kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu. Pas këtyre është organizuar edhe ushtrimi fushor ku kanë marrë pjesë edhe ekipet shëndetësore nga komunat fqinjë si Vitia, Kaçaniku dhe Shtimja”, ka thënë Arifi.

Në fund të aktiviteteve janë shpërndarë edhe mirënjohje për stafin mjekësore të cilët realizuan aktivitetet për nderë të ditës së shëndetësisë në Ferizaj./Telegrafi/

Exit mobile version