Site icon Telegrafi

Ferizaj ndan 50 mijë euro për fermerët që pësuan dëme nga fatkeqësitë natyrore

Deri më tash nëpër komuna nuk është arritur të gjendet ndonjë kod buxhetor i veçantë për t’i mbështetur fermerët që pësojnë dëme nga fatkeqësitë natyrore, ndërkohë një gjë të tillë herë pas here e ka bërë Qeveria e Kosovës sipas mundësive buxhetore.

Por, së fundi mënyrën për mbështetjen e fermerëve me paratë e komunës e ka gjetur Drejtoria e Bujqësisë në Ferizaj. Madje, secili fermer në këtë komunë që pëson dëme nga fatkeqësitë natyrore do të mbështetet me para të caktuara sipas vlerësimit të komisionit.

Drejtori i kësaj drejtorie Burim Bajrami, ka gjetur mënyrën që nëpërmjet subvencioneve në bujqësi ta siguroi një kod të veçantë për mbështetjen e fermerëve që pësojnë dëme nga zjarret, dëmtimit të serrave, ngordhja e kafshëve, dëmet nga breshëri i pemëve e perimeve dhe dëme të tjera të ndryshme.

Bajrami ka thënë për Telegrafin se ka ndarë 50 mijë euro, por që kjo shumë mund të rritet në vitet e ardhshme varësisht nga mundësitë buxhetore që i ka komuna.

“Duke marrë për bazë kontaktin e vazhdueshëm që e kemi me fermerët dhe duke i ditur problematikat e tyre, ne në kategorinë e subvendiponeve për vitin 2024 kemi ndarë 50 mijë euro për kompensim të dëmeve të cilat nuk po i kompenson ministria e Bujqësisë dhe Qeveria e Kosovës”, ka thënë Bajrami.

Sipas tij, kanë pranuar vazhdimisht kërkesa për raste të ndryshme të zjarreve të ndryshme, djegieve, vërshimeve dhe fatkeqësive të tjera duke përfshirë ngordhjen e kafshëve apo dëmtimi i serrave të fermerëve e të tjera.

“Kemi pranuar të gjitha kërkesat dhe përmes komisionit tonë kemi analizuar, kemi dalë në terren dhe kemi bërë vlerësimin e këtyre kërkesave dhe unë kam marrë vendim për rastet e caktuara që të kompensohen dëmet dhe ky proces vazhdon gjatë gjithë vitit. Ne urojmë të kemi sa  më parë dëme nga fatkeqësitë natyrore, mirëpo kemi bërë të pamundur që në kuadër të mundësive tona buxhetore t’i dalim në ndihmë fermerëve të Komunës së Ferizajt që sado pak t’ia lehtësojmë dëmet që shkaktohen eventualisht në të gjitha kategoritë e bujqësisë, por duke përfshirë edhe blegtorinë e të tjera”, ka thënë Bajrami.

Bajrami, ka shtuar se janë rreth 70 fermer të cilët deri tash janë kompensuar për dëmet e tyre, gjatë javëve të kaluar duke përfshirë zjarret e ndryshme nëpër deponi të ushqimit të kafshëve, pastaj për ngordhje të vazhdueshme të krerëve të lopëve e të tjera./Telegrafi/

Exit mobile version