PDK ka vazhduar fushatën zgjedhore në Samadrexhë të Vushtrrisë, ku kryetari i PDK-së, Kadri Veseli tha se kanë nevojë për përkrahjen e banorëve të Samadrexhës, për të vazhduar punën të cilën e kanë nisur dhjetë vite më parë në Vushtrri.
Kreu i PDK-së theksoi se nuk mund t’i kryejnë të gjitha punët përnjëherë, por ato do t’i kryejnë një nga nja.
Veseli vizitoi edhe palestrën sportive, e cila është duke u ndërtuar në këtë fshat, ku përfaqësuesit e fshatit thanë se kjo palestër ishte premtim i kreut të PDK-së, premtim të cilin e mbajti.
Veseli tha se në vitin 2014 kishte premtuar se nuk do të vinte në Samadrexhë pa filluar ndërtimi i palestrës.
E, kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi tha se qeverisja e ardhshme do të jetë e popullit dhe për popullin, dhe shtoi se do të jetë qeveri llogaridhënëse, e ai që do të jep llogari i pari, është kryetari i komunës.
Idrizi e kërkoi mbështetjen e banorëve të Samadrexhës, jo vetëm për t’u ulur në karrigen e kryetarit të komunës, por edhe në realizimin e projekteve për Komunën e Vushtrrisë. Idrizi ka shpalosur programin e tij edhe për arsimin, kulturën, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe shumë sfera tjera.
Kryetari aktual i Vushtrrisë, Bajram Mulaku tha se gjatë udhëheqjes së tij, janë bërë shumë punë, por krejt çka ai ka bërë ka qenë punë e përbashkët me udhëheqjen e PDK-së. Mulaku pati fjalë të mira edhe për kandidatin për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Ndërsa, kryetari i PDK-së në Vushtrri, Kurtan Kajtazi tha se është i bindur që më 22 tetor do të festojnë bashkërisht fitoren e PDK-së.
Nga fshati Samadrexhë kandidatë të PDK-së për Asamble Komunale janë Bekim Maloku dhe Melihate Basholli, të cilët u bënë thirrje bashkëfshatarëve te tyre që t’i përkrahin ata dhe PDK-në, që jenë zëri i tyre në kuvendin komunal. /Telegrafi/