Ish-menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson e ka pranuar se ai ka refuzuar dy herë ofertën për të qenë trajner i Kombëtares së Anglisë.
Ferguson njihet gjegjësisht për punën e tij shumëvjeçare te Djajtë e Kuq, ku fitoi çdo trofe të mundshëm ekipor, teksa dominoi në Ligën Premier.
Megjithatë, ai asnjëherë nuk drejtoi një kombëtare, edhe pse tashmë ka treguar se i ishte ofruar disa herë posti i trajnerit të Anglisë.
Skocezi ka zbuluar gjatë një konference për media për nisjen e autobiografisë së tij se ka refuzuar dy herë ofertën për të drejtuar ‘Tre Luanët’.
“Ishte e pamundur të pranoje një ofertë të tillë”, ka thënë fillimisht Ferguson.
“Herën e dytë më kontaktoi ish-kryetari i Unitedit, Martin Edwards. Unë pastaj i thashë: Thjesht harrojeni, nuk jam i interesuar”.
“Unë shpejt mora një vendim, më mori 10 sekonda”.
“Vetëm imagjinoni se si do të kthehesha atëherë në Skoci? Zoti im!”, përfundoi ish-trajneri skocez. /Telegrafi/