Rio Ferdinand është i gatshëm që të rikthehet te Manchester Unitedi, por tani në cilësinë e drejtorit sportiv.
Legjenda e skuadrës angleze ka bërë të ditur se ai e dëshiron rikthimin në Old Trafford, por tani duke marrë një pozitë drejtuese në klub.
Ish-mbrojtësi i Djajve të Kuq është takuar me Ed Woodwardin dhe Ole Gunnar Solskjaer për të biseduar rreth postit të drejtorit sportiv se çfarë mund të bëjë ai në këtë aspekt.
“Unë kam mbajtur kontaktet gjithmonë me Ed (Woodwardin). Kam një lloj raporti me të dhe jemi shumë të sinqertë me njëri-tjetrin”, ka thënë Ferdinand.
“Ka kohë që nuk jemi takuar, mirëpo në telefon ne kontaktojmë shumë dhe në këto ditë do të takohemi me të në Londër për bisedime rreth një mundësie të angazhimit në klub”.
“Do të takohemi që unë të marr një pozitë në klub. Drejtor sportiv? Nuk mund të them asgjë në lidhje me këtë, pasi ta përfundoj takimin do të shohim”, ka shtuar më tej Ferdinand.
Daily Mail njofton se anglezi do ta marrë pozitën e drejtorit sportiv duke e ndihmuar Manchester Unitedin në transferimet e lojtarëve në këtë verë. /Telegrafi/