Site icon Telegrafi

FENOMENI NOGA!

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

“Beatbox”- perkusioni urbano-vokal, është elementi i pestë i hip-hopit ku me ndihmën e gojës, gjuhës dhe zërit krijohet muzika. Kryesorja është të krijohet tingulli sa më i ngjashëm me atë, të cilin e prodhon ndonjë instrument, ose ritmi i “shkëputur” i ndonjë kënge.

Agoni, me artin muzikor, ka filluar të merret që i vogël, duke reflektuar talent dhe lindjen e një ylli në perspektivë. Nuk i numëron dot paraqitjet e tij të shumta, por ja se ç’farë na thotë ai vet…

Agon, rryma muzikore, të cilën ju e praktikonit për vite ka qenë diçka gati e panjohur te ne. Në cilin moment e ke kuptuar që je shmangur të merresh me “beatbox”?
Si gjashtë vjeçar, kam filluar të merrem me muzikë, pikërisht atëherë kur isha në grup me ‘NR’ (Bim Bima, Ergeni, Real 1 dhe Niti, etj). Jam marrë edhe me rep dhe si producent i ‘Beatve’.

Ku dallohet shkathtësia e artistit të beatboxit?
Shkathtësia e artistit të beatboxit dallohet nga prodhimi i sa më shumë spektrave të tingujve në atë mënyrë që sa më shumë t’i ngjajnë këngës. Në “beatbox” nganjëherë përdoret edhe harmonika, flauti, etj.

Duke pasur parasysh se nuk kemi pasur rastin që të takonim ndonjë të tillë, kur t’ju shohin, si reagojnë njerëzit në diçka që është e re, e ndryshme, edhe akoma jopopullore tek ne?
Njerëzit reagojnë nganjëherë çuditshëm. Është pak të thuhet se ata janë të pushtuar. Ndonjëherë janë të hutuar dhe mezi besojnë se, unë, jam një orkestër i vërtetë, që bëj këngë komplete, pa instrumente, madje edhe pa rrymë, hahahaa. Tashmë, kam rrethin tim të admiruesve, por ngadalë dhe me siguri do të bëhem i pranuar edhe për publikun e gjerë.

Në cilin zhanër jeni fokusuar me rastin e ekzekutimit të muzikës suaj?
Unë nuk kam ndonjë kriter të veçantë që mund të merret si një parametër për zgjedhjen e këngëve. Thjesht, merrem pothuajse me të gjitha zhanret, sepse beatbox zhvillohet në rok, hip-hop, popullore, baladë, tallava…

Kur e keni bërë albumin e parë?
Albumin e parë të titulluar ‘SOS’, e kam edituar si 11-vjeçar. Në atë album jam prezantuar si reper dhe beatboxer.

Në repertorin tuaj keni shumë bashkëpunime me këngëtarë të ndryshëm. Çfarë mund të na thoni për këto bashkëpunime dhe cilin e cilësoni si më të suksesshmin?
Kam shumë bashkëpunime dhe i falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan për t’u afirmuar, si, Flori, Kastro Zizo, Mc Kresha, Lorical Son, Mr.Mic, B-Genius, Ghetto, Noizi, Elita 5, Gold AG, ‘NR’, Sinan Vllasaliu, Albatrit Muçiqi, e shumë e shumë të tjerë.
Bashkëpunimin më të suksesshëm e konsideroj, Tekilën, e cila është klikuar më shumë se 5 milionë herë në youtube.

Përveç teje, a ka bërë dikush tjetër tek ne beatbox?
Është Milot Llalloshi, i cili ka bërë beatbox me motrën e tij Edonën, por jo me hip-hop, por popullore.

Noga, merreni me beatbox, por ju tani i këndoni ritmeve të rrugës. Muzika Rap përmban në vetvete një lloj agresiviteti dhe revolte. Ndaj kujt drejtohet revolta jote?
Një reper i këndon realitetit ashtu si është. Agresiviteti dhe revolta ime i drejtohet maltretimeve, diskriminimit,vuajtjeve të njerëzve, përdorimit të alkoolit dhe drogës në rritje te të rinjtë, etj. Porse, tek ne, shumica e reperave flasin vetëm për femra dhe para. Kështu, ata me vetëdije e keqpërdorin nocionin Rap.

Sa ka ndikim muzika klasike me rastin e ekzekutimit tuaj të hiteve të njohura botërore?
Dashuria dhe njohja mirë e literaturës së muzikës klasike, më bën të suksesshëm në ekzekutimin e zërave që unë krijoj. Dëgjimi dhe performanca kla..sike ka futur te unë ndjenjën për detaje dhe ekuilibër në muzikë, që janë shumë të rëndësishëm kur jam me vetveten duke përgatitur kompozimin për këngën që do të bëhet hit.

Një pjesë e rëndësishme në një këngë bashkë me muzikën është edhe teksti. Si e sheh lidhjen e muzikës me tekstin dhe sa i rëndësishëm është ky i fundit për ty?
Nuk mund ta ndaj dot tekstin nga muzika. Kurrë Agon Abdullahu nuk ka bërë ndonjë këngë para se të inspirohet nga ky tekst dhe ta bëjë muzikën.

Ku e gjeni inspirimin dhe a keni idhuj?
Meqenëse unë bëj vetë këngët, së pari, në shumicën e këngëve ndërtoj skeletin kryesor dhe inspirimi, kryesisht varet nga frymëzimi dhe përvoja ime. Unë, nuk kam idhuj, përndryshe, jam më i miri. Krenohem që kam gjak shqiptari.

Kemi dëgjuar se ke hyrë në grup me Noizin (O.T.R.). Përse nuk e keni bërë këtë me dikë nga Kosova?
Noyzi, mua më duket se është më i sinqertë dhe nuk të tradhton sikurse Baba Stars.

Ju, sikur në çdo prezantim tuajin jeni kundër Baba Stars (Skills, Tingulli 3, etj.).
Unë jam kundër, sepse që kur jam takuar për herë të parë me Visarin e Skills, më ka tradhtuar, prandaj nuk kam dashur më të merrem me ketë grup dhe, mendoj, që të gjithë janë të njëjtë.

Jeni duke u përgatitur edhe për klipin më të ri në bashkëpunim me këngëtarin e muzikës popullore Sinan Vllasaliu.
Kënga titullohet “Një arsye” dhe është e përcjellë me ‘beatbox’ popullore. Klipi i këngës po realizohet nga produksioni “Entermedia” dhe së shpejti do të editohet. Por, nuk do të ndalem me kaq, sepse jam duke punuar me Seldin, Sinan Hoxhën dhe artistë të tjerë për këngët që do të emetohen për Vitin e Ri.

Kam dëgjuar se jeni djaloshi më i urryer i estradës shqiptare?!
Po, jam më i urryeri, sepse femrat e tyre më duan, më adhurojnë, hahaha. Jam i ri në moshë dhe sukseset e mia i demoralizojnë, por edhe kam kushtet që ata ëndërrojnë t’i kenë, kështu nga lakmia kalojnë në xhelozi.

Ju identifikojnë edhe si Justin Bieberi shqiptar…
Pikërisht, sepse jemi të të njëjtës moshë, me suksese të përafërta, porse ai është fuqishëm sepse vjen nga një shtet zulmadh ku jetojnë mbi 400 milionë banorë…

Cilët janë muzikantët që ju frymëzojnë dhe ndikojnë në formimin tuaj?
Noyzi, Mc Kresha, Lyrical Son, Dr. Mic, Dj. Blunt, Real 1. Nga të huajt, Eminem, T.I, Lil Wayne.

Po nga këngëtaret?
Genta Ismajli, Bleona Qerreti, Yllka Kuçi, ndërsa nga ato botërore, Beyonce dhe Rihanna.

Keni më së shumti klikime në youtube?
Po, unë kam rreth 15 milionë klikime në youtube që ua dëshmoj me fakte: Tekila, ka rreth 5 milion klikime, ‘Unë me ty’, rreth 3 milionë, Souljah – një milion, ‘Çka më ka syri’, një milion, etj.

Ç’po ndodh aktualisht me Nogën? A keni ndonjë fitim në të ardhmen e afërt?
Jam duke bashkëpunuar me njërin ndër reperat më të mirë në botë, Lil Wayne. Videoklipin e kemi përfunduar, por menaxherët e tij janë duke m’i bërë disa dallavere dhe duke vënë disa kushte për ta publikuar videon. Ata kërkojnë që videoja t’i shitet produksionit të famshëm ‘Vevo’. Nëse do të pranoja kushtet e tyre, do të humbas shumë të holla. Unë, të paktën kërkoj që fitimin ta ndajmë së bashku, sepse në shtetet tjera, çdo klikim paguhet 5 cent. Jam këmbëngulës për këtë, sepse kam marrë përgjegjësitë për ta paguar klipin dhe këngën, mjaft shtrenjtë…Megjithatë, nga menaxherët e tij e kam të ndalur të jap detaje tjera, prandaj prisni…

 

Ku paraqitet më së shpeshti Noga dhe a ekziston ndonjë vend ku kurrë nuk keni pasur rastin të paraqiteni, ndërkaq akoma ëndërroni për të?
Paraqitjet e mia më të shpeshta janë në diasporë, tashti prej datës 20 nëntor, filloj turneun në disa shtete, si Bullgari, Zvicër, Itali, Gjermani, etj.
Për momentin, pengu im është Hollywood-i, shpresoj të arrij edhe atje, sepse kam talent…

Cilët janë fansat që ke bërë për vete deri tani?
Kam përfituar të rinjtë prej moshës 7-15 vjeç, sepse iu dukem interesant për punën që bëj.

Fama të ka ndihmuar për femrat?
Shumë, shumë, sidomos te katundaret…sepse thonë, qenka më i bukur sesa live në TV.

Mendon se janë këngët apo dhuntia jote çfarë femrat pëlqejnë?
T’ua them të drejtën, femrat më së shumti pëlqejnë meshkujt e bukur, veshjen, paratë, veturat…pastaj talentin me të cilin prezantohesh.

Po për veten përtej muzikës ç’mund të thuash? Si do ta përshkruaje veten me pak fjalë?
Jam i sinqertë, i vendosur, besnik dhe shok që nuk të lë në lloç. Do ta konsideroja veten time të qetë, të dashur. Më pëlqen shakaja, humori, aspak depresiv, jam shumë optimist. Kuptohet që kam momentet e mia siç i ka çdo i ri, momente melankolike, të paqarta, të turbullta, shmangie, por në përgjithësi e ndiej veten mirë kështu siç jam dhe e rëndësishme është që edhe njerëzit të më pranojnë kështu siç jam dhe do të vazhdoj punën time.

Kujt ia dedikon suksesin tuaj?
Familjes sime dhe shoqërisë, që më përkrahin pa kursim.

A mund të presim shpejt edhe ndonjë CD apo muzikë autoriale nga ju?
Unë kam edituar CD dhe albumin me titull ‘Souljah’, sepse kështu jam prezantuar për herë të parë në publik me Mc Kreshën dhe Lyrical Son. Albumi ka 14 këngë, gjithashtu nuk kanë munguar as bashkëpunimet me artistët tanë më të njohur.

Si duket një ditë juaja e rëndomtë?
Në mëngjes shkoj në shkollë, ku ndjek mësimet e vitit të fundit në gjimnazin ‘Sami Frashri’. Si 5 vjeçar kam vijuar mësimet në shkollën ‘Dardania’, në lagjen ku edhe jetoj. Jam 16 vjeç. Ëndrra ime është të bëhem farmacist i zoti sikurse babai im.

Cilat janë planet tuaja të ardhshme dhe ku mund të presim paraqitjen tuaj të radhës?
Planet e mia janë që të paraqitem në mediet botërore.

/Telegrafi/

Exit mobile version