Site icon Telegrafi

“Femrat” ma kanë ndryshuar jetën

Bisedoi: Shaqir Foniqi

Enxhi, qysh me rolin e parë, atë të Ades, dëshmoi se në kinematografinë tonë po vjen një engjëllushë e filmit, një yll që, besojmë se shumë shpejtë do të ngritët në qiellin e kthjellët të artit. Enxhi Cuku, së bashku me Ermal Mamaqin, krijuan një film shumë të mirë, duke mbajtur mbi supe tërë peshën e tij.

Është rast i rrallë kur një aktore, ose aktor është prezent me rol fillim e fund dhe këtë sfidë e kalon me (pa) shumë mund. Enxhi dukej e freskët e çiltër dhe mjaft e ëmbël, mu sikur një reze dielli në ditën me diell. Ne, kërkuam këtë intervistë me të, dhe ajo me mirësinë prej enxhi, pranoj pa hezitim, madje me një falënderim sublim.

Po fillojmë nga emri, i cili është i veçantë dhe duket pak profetik. Duket se po e arsyetoni.
Faleminderit. Këtë emër ma ka vendosur halla. Unë kam lindur në Tiranë me 28 janar 1996.

Shumë herët keni ,pushtuar’ botën e artit, fillimisht si modeliste, e pastaj keni filluar të dëshmoni edhe në artet e tjera, sikurse është filmi?
Ka qene një rastësi. Unë kam nisur të merrem me kërcim në moshën 13 vjeçare, më pas fillova të paraqitesha si modele dhe së fundmi si aktore. Çdo gjë ka sjellë tjetrën.

Sigurisht se keni patur edhe mbështetje nga prindërit dhe nga mjedisi?
Familja dhe shoqëria më kanë mbështetur gjithmonë në dëshirat e mia për fushën e artit. Janë ata që më japin gjithmonë një shtysë për të vazhduar përpara.

A është marrë dikush nga familja juaj me art, dua të them a keni trashëguar diçka, apo ju e para…?
Unë jam e vetmja në familjen time që më pëlqen dhe merrem me televizion.

Dhe erdhi çasti (mbreti botës) që të angazhoheni edhe në rolin kryesor, atë të Ades, në filmin “Femrat”, me skenar të Koloreta Cukolit dhe me regji të Rudina Vojvodes. Si erdhët deri tek ky rol?
Për rolin e Ades zhvillohej një audicion në të cilin merrnin pjesë shumë vajza. Më është dukur një mundësi e mirë për të provuar veten në një fushë të re siç ishte aktrimi, dhe ja ku mu dha kjo mundësi. Roli i Ades u bë i imi pas atij audicioni.

Rolin e keni luajtur për mrekulli dhe unë që e kam shikuar në Prishtinë, e kam përjetuar me një frymë?
Faleminderit. Jam munduar të jap më të mirën.

Duket se ishit shumë origjinale dhe spontane, edhpse ishte roli juaj i parë serioz, në një film plot transformime?
Faleminderit sërish. Ada kishte një karakter të ngjashëm me mua dhe jam munduar çdo fjalë, çdo gjest ta sjell në mënyrë sa më spontane duke u dukur sa më reale dhe për publikun. Ishte roli im i parë dhe e kam sjellë në mënyrën siç unë e mendoja pa patur shumë informacione rreth aktrimit ose eksperienca të mëparshme.

Roli juaj ishte një rol pozitiv dhe kjo ka bërë që ju të fitoni simpatinë për rolin, pamjen dhe hirësinë?
Shumë e vërtetë. Për mua pjesëmarrja në filmin “Femrat” është një shtysë dhe një plus shumë i madh për të vazhduar më tej.

Ky rol ua ka ndryshuar jetën. Kanë filluar ftesa, komplimente, konstatime, drithërime, intervista…
Kur mu dha roli, unë e dija që në skenar ishte një puthje me Ermalin dhe pranova. Vështirësitë që mund të kesh ikin. Çdo gjë mbetet në kuadrin e aktrimit dhe të gjithë mundohen të ndihmojnë njëri- tjetrin për të nxjerrë një punë të mirë. Këtë gjë bëmë dhe ne të dy.

Keni deklaruar se momenti më i vështirë ishte puthja (në film) me Ermal Mamaqin dhe kjo tingëllon e sinqertë, sepse ende nuk i kishit mbushur tetëmbëdhjetë vjet? Tash që e keni kaluar fazën e adoleshentes, jeni ‘pjekur’ edhe për role dhe karaktere të tjera?
Nuk mendoj se ka të bëjë mosha ime. Unë në moshën 17 vjeçare bëra rolin tim të parë. Eksperienca që kam fituar në këtë film më ka shtuar dëshirën për të provuar role të tjera dhe njëkohësisht të rritem profesionalisht.

Keni studiuar për gjuhët e huaja, është ky një favor për ju?
Unë këtë vit jam maturante. Gjuhët e huaja janë një plus për këdo.

Keni ndonjë ofertë për ndonjë angazhim televiziv? Nëse po, kur do t’iu shohim dhe ku do të shfaqet ai?
Pjesëmarrja ime më e fundit në aktrim ishte në serialin muzikal “Fresk Fare”. Ndërkohë jam duke punuar për një projekt të ri.

Cila është ëndrra juaj, të punoni në TV, në teatër, modelim, aktrim, apo në të gjitha, sepse arti është i pandarë?
Më pëlqen të njihem si showgirl. Një vajzë e zonja në disa fusha të artit në televizion.

Kur jemi të arti, mendoni se arti lind nga dhembja dhe të ,vret’ nga brenda?
Arti për mua është ashtu siç e ka dhe emrin, i artë. Është një botë shumë e bukur ku merr dhe jep.

Cila është Enxhi në jetën e përditshme. Po arrin ta menaxhosh kohën, t’i ruash miqtë, familjen, obligimet…
Në ditët e përditshme unë jam e zënë me shkollën, sidomos në këtë periudhë që kam dhe provime. Një pjesë të ditës e kaloj duke mësuar, pjesën tjetër me familjen. Fundjavat kur i kam të lira, pushoj në shtëpi ose dal me shoqërinë.

Sa kujdeseni për vetën tuaj nga ana e jashtme, tash që jeni figurë publike?
Aspak nuk ka ndikuar tek unë ky fakt pasi jam studente dhe në shkollë shkoj sa më thjesht. Kjo gjë vlen dhe kur dal, dua të ndihem sa më komode me veten time. Në përjashtim të rasteve kur më duhet të jem e pranishme në evente që duhet të paraqitem sa më mirë.

Keni ndonjë hobi, pasion, peng….
Hobi im është kërcimi. Pasioni im ka qenë dhe vazhdon të jetë televizioni, së fundmi i është shtuar dhe aktrimi. Peng nuk kam, por mund të them që më vjen pak keq që s’jam e talentuar në këndim.

Jeni në fillim të karrierës, por dita e mirë shihet në mëngjes dhe ju keni dëshmuar se do të keni një karrierë filmike për t’u admiruar?
Kam shumë dëshirë të eci përpara në aktrim, dhe shpresoj të më jepet mundësia për të luajtur dhe role të tjera. Fillimi i mirë – gjysma e punës.

A keni kohë të lirë, cila është muzika që preferoni, veshja, karakteri juaj…?
Atë pak kohë të lirë mundohem ta shfrytëzoj sa më mirë. Muzika që më pëlqen është e rrymës Hip Hop. Sa i përket të veshurit, më pëlqen të vishem thjesht sipas dhe vendit ku do të shkoj, gjithmonë duke mos harruar që t’i përshtatem dhe moshës time. Më karakterizon qetësia që kam, optimizmi, gjithashtu dhe kokëfortësia.

A iu ofron Tirana ,hapësirë’ për t’u dëshmuar. A ua plotëson kërkesat si një e re që jeni?
Patjetër që po. Fusha e artit është shumë e madhe dhe mendoj se ka vend për të gjithë. Po të punosh fort, mund t’ia dalësh.

Nuk po iu pyesim për ndonjë fshehtësi (zemërore), sepse…ende jeni e re?
Jo. Momentalisht jam fokusuar vetëm tek shkolla dhe tek dëshira për të arritur diçka për veten time.

Çka jeni në horoskop dhe a i besoni atij?
Unë jam Ujori dhe e besoj shumë horoskopin pasi dhe më rezulton i saktë.

Cila është porosia juaj për moshataret tuaja?
Nuk mendoj se më takon që të jap shumë këshilla pasi dhe unë vetëm 18 vjeç jam, por do të thoja që thjeshtësia e zbukuron njeriun. Qëndroni të thjeshta dhe ndiqni ëndrrat tuaja pasi asgjë s’është e pamundur! /Telegrafi/ 

Filmi “Femrat” është historia e një avokati 30 vjeçar divorcesh, Riku cili u shmanget lidhjeve serioze nga frika se janë shumë të komplikuara. Për të jeta është më e bukur kur je ‘single’, kuptohet, kur ke një mama që t’i bën gati të gjitha. Çdo gjë duket se shkon për mrekulli deri ditën kur mamaja vendos t’i gjejë një nuse! Gjithë njerëzit rrotull Rikut duket se i kanë vënë vetes një qëllim: ta martojnë! Filmi tregon përpjekjet e Rikut që t’u “shpëtojë” një morie femrash, nga ato më seksit e inteligjentet, deri tek ato më të zakonshmet që po vdesin për t’u martuar një burrë si ai. Por, në fund, edhe Riku, si shumë të tjerë, nuk i shpëton dot dashurisë… dhe e gjen atje ku e gjen shumica jonë: në jetën e përditshme, tek personi që ka më pak “frikë”. Në film takojmë shumë njerëz që në jetën e përditshme nuk u vëmë shumë rëndësi, por që në fakt, na kanë bërë ne të jemi këta që jemi, si: taksixhinjë nevrikë, gazetashitës cinikë, komshije të ngjitura, gra të mërzitura me burrat, gra që i duan aq shumë burrat e tyre sa ua nxijnë jetën, vajza që nuk pyesin për meshkuj, vajza që do bënin gjithcka për t’i pëlqyer një mashkulli, burra e gra që divorcohen për arsye nga më të çuditshmet.
 

Exit mobile version