Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani, sot ka pritur në takim dy pjesëtarë të Asamblesë së Fëmijëve të Komunës së Mitrovicës.
Shabani ka thënë se Enesi dhe Eliza kanë paraqitur kërkesë me shkrim në Drejtorinë për Shëndetësi për të zhvilluar një aktivitet në kuadër të fushatës “Tetori- Muaji për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit”, shkruan Telegrafi.
“Sot kam pasur një takim të mrekullueshëm me Enesin dhe Elizën , dy udhëheqës të përkushtuar të Asamblesë së Fëmijëve të Komunës së Mitrovicës , të cilët dje kishin paraqitur kërkesë me shkrim në Drejtorinë për Shëndetësi për të zhvilluar një aktivitet në mbështetje të grave të diagnostikuara me kancer të gjirit, në kuadër të fushatës ‘Tetori- Muaji për ndërgjegjësimin kundër kancerit të gjirit’”, ka thënë ai.
Shabani ka bërë të ditur se ky aktivitet do të ketë mbështetjen e Drejtorisë për Shëndetësisë.
“Natyrisht se Drejtoria për Shëndetësi do të japë gjithë mbështetjen e nevojshme për këtë aktivitet si dhe për çdo aktivitet të Asamblesë së Fëmijëve të Mitrovicës, që ka për qëllim edukimin shëndetsor dhe promovimin e shëndetit”, ka thënë tutje Shabani. /Telegrafi/