Site icon Telegrafi

Fëmijëria çdo ditë e më e shkurtër

Shkrimtarja britanike e fëmijëve, Jacqueline Wilson, ka deklaruar se vlerëson që të rinjtë sot rriten shumë shpejt, derisa mendimin e saj ia ka bashkangjitur rezultateve të hulumtimit në të cilin kanë marrë pjesë prindër britanikë, të cilët vlerësojnë se fëmijëria tek fëmijët e sotëm merr fund rreth vitit të njëmbëdhjetë të jetës së tyre.

Tinejxherët piqen shumë më herët se dikur, vlerëson 62-vjeçarja Jacqueline Wilson. Sipas hulumtimit të kompanisë për hulumtim të tregut ICM, pothuajse gjysma e prindërve të fëmijëve nën moshën 18-vjeçare të cilët janë anketuar vlerësojnë se fëmijët e tyre bëhen “njerëz të vegjël” posa t’i mbushin të njëmbëdhjetat.

Pothuajse tri të katërtat e prindërve u lejojnë fëmijëve të tyre konsumimin e alkoolit para të tetëmbëdhjetave. Pothuajse gjysma e prindërve të gjashtëmbëdhjetëvjeçarëve u lejojnë atyre të kalojnë natën tek partneri apo partnerja e tyre. 53 për qind e tinejxherëve nën moshën 16-vjeçare kanë lejen e prindërve të mbesin jashtë shtëpisë edhe pas orë 11 të natës.

Hulumtimi është kryer në kuadër të promovimit të librit të fundit për fëmijë të shkrimtares të emëruar My Sister Jodie. "Vlerësoj se në të vërtetë është e turpshme që fëmijët të sillen si të rriturit, për mendimin tim, në moshë shumë të re brengosëse", ka thënë ajo për gazetën The Times.

Ajo u ka bërë thirrje prindërve të janë më këmbëngulës dhe mos t’u lëshojnë pe fëmijëve në kërkesat e tyre shpesh të paarsyeshme. "Prindërit duhet të marrin qëndrim shumë më fortë, tu tregojnë fëmijëve që nuk u çon aspak peshë pse disa prindër të bashkëmoshatarëve të tyre të klasës u lejojnë t’i bëjnë disa gjëra. Duhet të përgjigjet me vendosmëri – jo, ti nuk mundesh", ka sqaruar Wilson. "Askush nuk i ka për qejf konfliktet, mirëpo gjatë rritjes tinejxherët nganjëherë janë bisha të vërteta, por nganjëherë thjesht duhet të pranoni këtë".

Exit mobile version