Menjëherë pas pranimit të Kosovës në FIFA mediumet zvicerane kanë shprehur shqetësimin e tyre që në titujt e lajmeve.
“FIFA e pranoi Kosovën si anëtare të ‘210 – çka do të bëjnë Shaqiri dhe të tjerët?”, pyet portali Watsonin.
Pak më neutrale ishte gazeta Blick: “Edhe FIFA i thotë po Kosovës”, shkruan mediumi i madh zviceran.
Në mbrëmje Federata e Futbollit e Zvicrës (SFV) ka lëshuar një komunikatë, ku fillimisht nënvizohet se, pas pranimit të Kosovës në UEFA më 3 maj, anëtarësimi në FIFA ishte i pritshëm.
Federata konstaton se dispozitat e FIFA-s sa i përket të drejtës së lojtarëve për të luajtur për ekipet kombëtare nuk janë ndryshuar.
“Ato nuk ishin fare temë në Kongresin e FIFA-s”, tha presidenti i Federatës Peter Gilléron. Ai nënvizoi: “Për këtë arsye ne konsiderojmë se lojtarët me shtetësi të Zvicrës apo të Kosovës, të cilët janë angazhuar në një ndeshje zyrtare të ekipit tonë nacional, nuk kanë mundësi të luajnë ndonjëherë për Kosovën”.
Megjithatë, Federata Zvicerane e Futbollit nuk është aq e sigurt. Sipas rregullores nuk mund të përjashtohet mundësia që një lojtar të synojë të luajë për Kosovën. Shefi i shërbimit juridik të Federatës, Robert Breiter, ka shpjeguar: “Nëse një lojtar kërkon të ndërrojë Kombëtaren, për një kërkesë të tillë do të duhej të merrte vendim komisioni përkatës i FIFA. Aktualisht nuk kemi indikacione se ndokush nga lojtarët e ekipit A e ka ndërmend të bëjë një ndërrim”.