Mladen Zizovic është trajner i ri i FC Shkupit, pasi klubi largoi nga detyra disa ditë më parë Jihan Aslanin.
Boshnjaku 42 vjeçar do ta udhëheq skuadrën nga Çairi në periudhën në vijim dhe sot është prezantuar nga ana e klubit.
“Më vjen mirë që jam pjesë e kolektivit të FC Shkupit, shpresoj që gjithë se bashku në bashkëpunim me të gjitha strukturat e klubit do të kontribuojmë që Shkupi të jetë një nga kandidatët për titullin kampion dhe dalje në arenën ndërkombëtare. Do të tentojmë që ajo që ka qenë e mirë ta mbajmë dhe të përmirësojmë lojën tonë, shpresoj që lojtarët do ta kuptojnë këtë situatë dhe do të japin kontribut të madh në bashkëpunim me ne dhe mezi presim ndeshjen e radhës”.
“Besoj në punën time dhe në stafin që kam, do të mbajmë një pjesë të atyre që kanë qenë, me ne do të vijë një asistent i cili ka punuar me ne gjatë periudhës së kaluar, kështu që mendoj se do të bëjmë një staf kualitativ i cili do të di dhe do të mundet të përcjellë dijen te futbollistët”, ka thënë trajneri i i Shkupit pas zyrtarizimit.
Zizovic te Shkupi vjen për të zëvendësuar Cihad Arslanin e larguar. Ai së fundmi ka punuar si trajner në Arabinë Saudite në bankinën e Al Kholod, ndërsa më parë ka qenë kryesori edhe me ekipet si Radnik nga Bjeljina, Zrinjski dhe Sloboda Tuzlla.
Në stafin teknik Zizovic me vete ka sjellë një emër të njohur të futbollit kroat, Pero Pejic, ndërsa gjithashtu në ekip e Çairit është rikthyer një emër i njohur i trajnerëve të vendit tonë, Orhan Abdi. /Telegrafi/