Site icon Telegrafi

FC Prizreni pësoi humbjen e parë

Mbrëmë në Palestrën e Sporteve “ Sezai Surroi” , para rreth 200 shikuesve në kuadër të javës së pestë të Ligës së Parë të Kosovës në futsall, skuadra FC “ Prizreni” ka regjistruar humbjen e parë në kampionat, duke u mposhtur nga skuadra FC “ Drenica & Tradita” me rezultat 2:5 ( 1:2).

Fillimi i takimit u përshkrua me një lojë të barabartë, por me një iniciativë të lehtë të mysafirëve, të cilët arritën të shënojnë shumë herët në portën e prizrenasve, pas një gabimi në mbrojtjen e vendasve. Më pas prizrenasit u shfaqën më kërkues në barazim të rezultatit duke krijuar disa raste të mira shënimi, por në anën tjetër edhe mysafirët patën disa raste të mira shënimi të cilat nuk i konkretizuan. Zhvillohej një lojë tejet dinamike nga të dyja palët , dhe ishin sërish mysafirët ata të cilët shënuan 5 minuta para përmbylljes së pjesës së parë.

Mirëpo, reagimi i vendasve ishte i shpejtë të cilët menjëherë i’a dolën që të zvogëlojnë epërsinë e mysafirëve, duke shënuar përmes Rajmond Gjerajt, dhe me rezultatin 1:2 skuadrat shkuan në pushim. Kur u mendua së në pjesën e dytë prizrenasit do të mund të rikthenin rezultatin në favor të vetin, ishin mysafirët nga Skënderaj që në 6 minutat e para të të kësaj pjesë të shënojnë tri herë radhazi, duke krijuar një epërsi të lartë prej 4 golave diferencë.

Vendasit u munduan që të bënin diç më tepër në ndjekje të rezultatit, por e tëra që arritën ishte goli i dytë nga Gjeraj pas një kundërsulmi, duke dhënë edhe rezultatin final 5:2 në favor të mysafirëve nga Skënderaj, të cilët me plotë meritë arkëtuan tri pikë nga Prizreni duke ia shkaktuar humbjen e parë vendasve në këtë rang garash.

Përkundër kësaj humbje, FC “ Prizreni” momentalisht është në grupin e katër skuadrave, të cilat me nga nëntë pikë ndajnë pozitën e dytë në tabelën e klasifikimit, tri më pak se skuadra Vjeshta, e cila kryeson renditjen me 12. pikë të grumbulluara, por që ka një ndeshje më shumë të zhvilluar. Pa dyshim se humbja e mbrëmshme nuk është pritur nga skuadra prizrenase, të cilës i mbetet shumë punë për të arritur objektivin e dëshiruar, inkuadrimin në eliten e futbollit kosovar në futboll të vogël.

Exit mobile version