Telegrafi

FC Prishtina tregon kronologjinë e ngjarjeve në Gjibraltar: Kishim dhjetë futbollistë dhe një që kishte kaluar COVID-19, do të testohemi në Shkup ose Tiranë

Ndeshja Lincoln Red Imps – FC Prishtina, është anuluar sërish nga autoritet e Gjibraltarit, pasi klubit kosovar i dolën pozitiv tetë futbollistë.

Ndeshja në fjalë ishte paraparë që të nis nga ora 18:00 në Gjibraltar.

Prishtina ka treguar kronologjinë e situatës se si ka ndodhur ngjarja në Gjibraltar.

Sipas tyre klubi ka qenë në kontakte me UEFA-n dhe se ekipi që ishte atje do të kthehet sonte, ndërsa nesër do të testohen në njërin nga laboratorët e Synlab në Tiranë ose Shkup.

“Anulohet sërish ndeshja. Me vendimin e autoriteteve lokale të Gjibraltarit, përfundimisht ndeshja nuk do te zhvillohet”.

“FC Prishtina, ka qenë tërë kohën në kontakt me Delegatin e UEFA-s, autoritetet lokale dhe me selinë e UEFA-s. Nga autoritetet lokale, ekipit tonë iu është kërkuar të qëndrojë në karantinë dhe të mos lëvizë në asnjë mënyrë nga hoteli, kurse UEFA nuk ka marrë një vendim sot, përderisa vetëm ka përcjell vendimin e Autoriteteve Lokale të Gjibraltarit”.

“FC Prishtina, ka dërguar në UEFA edhe formacionin e mundshëm startues, pjesë e të cilit kanë qenë 10 futbollistë që kanë testuar negativ dhe 1 që sot ka testuar pozitiv, por që paraprakisht e ka kaluar COVID-19, para rreth 1 muaji, duke e bërë kështu shumë të çuditshëm testimin në Gjibraltar.  Klubi ka shprehur gatishmërinë në UEFA që ndeshjen ta zhvillojë edhe pa zëvendësime, përkatësisht pa përfshirjen në lojë të asnjërit prej 7 futbollistëve tjerë që testuan sot pozitiv. Të gjithë 8 futbollistët që kanë testuar pozitiv në Gjibraltar, me t’ u kthyer në Kosovë, klubi do t’ i dërgojë në testim në laboratoret e licensuar nga UEFA, SynLab në Shkup, apo në Tiranë. Skuadra kthehet sonte në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e klubit prishtinas. /Telegrafi/