Site icon Telegrafi

FATOS ARAPI, poeti elitar shqiptar

Intervistoi: Vera Pelaj

Fjala poetike e tij është moderne, universale dhe e përjetshme. Ka lënë këtë lloj përjetësie të flasë për të, ndërsa ai vetë ka zgjedhur të tërhiqet prej të qenit publik.
 

Si poet, ju keni përcjellë rrjedhat e poezisë në hapësirën shqiptare. A mund të veçoni ndonjë gjeneratë poetësh?
Fatos Arapi: Për fat të keq, një pjesë e tyre, që më vjen shumë keq, nuk janë më. Do të veçoja Azem Shkrelin, i cili ka qenë një nga kulmet e poezisë shqiptare dhe i cili meritonte më shumë sesa unë çmimin. Pastaj ju në Kosovë keni një plejadë të tërë poetësh. Unë nuk dua t’i përmend emrat sepse jam i bindur që do të harrojë dhe nuk është e drejtë që të përmend emrat, por poezia kosovare dha një ndihmesë jashtëzakonisht të madhe. Gjithashtu edhe këndej nga ana jonë ka pasur. Është plejada tjetër e poetëve të viteve ’60-të, dhe jo vetëm të viteve ’60-të, por edhe e viteve ’70-të, të cilët kanë bërë çka është e mundur për poezinë. D.m.th poezia, unë e thashë që në fillim dhe dua të kuptohen, që poezia shqiptarë i ka bërë detyrat historike të imperativit historik të saj, i ka bërë shumë mirë në ato kushte shumë të vështira, në të cilat është ndodhur.

Kritika shqiptare, brezin tënd, e ka konsideruar si fillim të mbarë të fjalës shqipe. Brezi juaj, Agolli, Arapi dhe Kadare, keni kontribuar mjaftë në gjininë poetike. Ç’farë mendoni për brezat e rinj?
Dëgjoj shumë andej e këndej që janë pesimist këta që flasin rreth letërsisë në përgjithësi dhe rreth poezisë. Por unë nuk jam pesimist. Unë mendoj se letërsia ecën. Po krijohen emra, po vijnë gjenerata të tjera dhe poezia nuk do të mbetet në mes të rrugës. Përkundrazi, me traditën që është krijuar tanimë dhe me tendencat e shumëllojshme të larmishme që janë krijuar me një teknologji krejt të re. Pastaj, fakti është që në përgjithësi letërsia shqiptarë tashmë e ka të qartë synimin e saj drejtë lirisë së njeriut, drejtë të drejtave njerëzore të njeriut, në përgjithësi sigurisht të kombit shqiptar dhe të njeriut shqiptar në veçanti, mendoj se është në rrugë të drejtë. Nuk duhet të jemi pesimist. Unë jam optimist. Natyrisht në moshën time dhe me sëmundjen që kam, nuk mund t’i ndjek të gjithë, por jam optimist dhe ata ecin, ecin…

Prania e juaj vërehet edhe te disa poetë d.m.th janë ndikuar nga krijimtaria juaj.
Është krejt normale ajo sepse në fillimet e veta, çdo poet është si puna e fëmijës, që do ta kërkojë dikë që ta marri për dore dhe ajo është krejt normale. Por, vjen një moment që ai e kupton që duhet të shkëputet nga dora dhe duhet të ec vet në këmbët e veta dhe atëherë fillon te eci poeti. Poeti nuk është gjë tjetër veçse është personalitet i tij, shpirt i tij dhe kultura e tij. Kështu që, ai do ta gjejë vetveten. Mos u shqetësoni nga ajo sepse është në influencën e këtij apo atij poeti, nuk ka rëndësi. Me kalimin e kohës ai do ta gjejë, nëse është poet, po e nënvizoj nëse është me të vërtetë poet, nëse ka lindur vërtetë poet, siç thoshin antikët latinë dhe nëse ka lindur vërtetë poet, ai do ta gjejë rrugën e vet. Nuk ka ndonjë gjë për tu shqetësuar aty.

Në vitet ’70-të, një grup shkrimtarësh iu kundërvunë realizmit – socialist. Teksti ishte “Vox clamantis in diserto – Zëri i humbur në shkretëtirë”. Pati shkaktuar shqetësime mjaftë tek ne. Te ju si është pritur, pasi që ishin kohë të vështira?
Fatos Arapi: Tek neve ajo erdhi si një lajm, si një fenomen që ka ndodhur. Nuk ka pasur shumë rëndësi tek ne fakti se ç’farë bëhet. D.m.th, në këtë pikëpamje se ç’farë thoshin teorikisht. Brezi i viteve ’60-të, që erdhëm ne, më tepër shikonim krijimet tona dhe mbështeteshim tek këto krijime duke lexuar poetët botërorë në përgjithësi dhe poetët dhe poezinë tuaj në përgjithësi. Ne shikonim më tepër krijimet sesa anën teorike sepse ana teorike, tek ne ishte shumë e ndaluar. Ju kishit më shumë liri e po ashtu edhe kritikët tuaj, kishin më shumë liri. Prandaj edhe sot e kësaj dite, inteligjenca e kritikës tek ju, është shumë më e fortë sesa këtu tek ne. Akoma tek ne nuk e kemi bërë kapërcimin e personaliteteve të mëdha, të vërteta e të fuqishme të kritikës. Nuk është se neve na kanë ndihmuar kritikët, por ne krijuesit vetë kërkonim dhe ne mbështeteshim vetë në krijimin tonë. Po e kemi dëgjuar atë “Vox clamantis in diserto – Zëri i humbur në shkretëtirë”.

Ku vete letërsia shqipe sot?
Fatos Arapi: Në çështjet e letërsisë, nuk mund të flitet kështu. Unë e kuptoj dhe dëgjoj gjithnjë ankime. Letërsia ka ligjet e veta dhe me një moment të caktuar, atje ku ti nuk e pret, del një talent, i cili bën sintezën, bën përgjithësimin e një plejade të tërë, e cila ka punuar. Shembull le të marrim vitet ’35. Nuk ka qenë vetëm Lasgush Poradeci, po në vitet ’35 këtu ka pasur një gjeneratë të tërë shkrimtarësh. Ka qenë Ali Asllani, ka qenë Asdreni, Fishta, pastaj të rinjtë Petro Marko, Nexhat Akiu, kanë qenë plotë, mirëpo në një moment të caktuar, poezia bën sintezën e vet dhe del një talent i fuqishëm i cili sintetizon të gjitha këto. Kështu p.sh. një sintezë e tillë është edhe poezia e Lasgush Poradecit, e cila nuk mund të themi se përfaqëson të gjithë këtë gamë të madhe të poezisë shqiptare, që ekzistonte atëherë. Natyrisht Fishta ishte një Fishtë, Ali Asllani ishte një Ali Asllan, Asdreni qe një Asdren, Lasgushi një Lasgush, por sidoqoftë viheshin sintezat, kështuqë nuk duhet të jemi pesimist në këto gjëra dhe nuk duhet t’i kërkojmë në letërsi përnjëherësh gjërat. Ato sinteza janë sinteza historike, historia i bën ato zhvillime.

A mund të shikohet letërsia si në të kaluarën e copëtuar, pasi që nuk ekzistojnë më kufijtë në hapësirën shqiptare?
Fatos Arapi: Jo, jo jo. Sot letërsia shqiptare mendoj unë, ka mundësi komunikimi, mundësi leximi. Gjithnjë e më shumë është duke u bashkuar, janë duke u shkrirë njëra me tjetrën dhe duke pasur ndikime njëra mbi tjetrën. Unë p.sh, shoh ndikime të ndryshme tek të gjithë poetët qoftë edhe tek vetvetja ime. Ndikohem qoftë edhe nga një poetë I ri, I cili më jep një figurë shumë të bukur p.sh në një poezi ec një figurë shumë e bukur, unë ndikohem menjëherë. Unë mendoj se poezia shqipe sot, i ka të gjitha kushtet që të eci bashkërisht dhe bashkërisht do të eci, s’ka se si ecën ndryshe.

Sa është e pranishme letërsia shqipe në hapësirën evropiane?
Fatos Arapi: Pengesa e madhe është vetëm gjuha. Është gjuha që është një gjuhë e vockël dhe është një gjuhë ndoshta, ndoshta, e vështirë për t’u mësuar. Pastaj janë shteti dhe politika jonë, që nuk i japin rëndësi fare problemit të përkthimeve kështu që, përkthimet janë bërë monopol të disave, të cilëve të them të drejtën, unë nuk iu afrohem fare e as nuk u jam afruar ndonjëherë, as nuk do të provojë. Unë shikoj punën time por, letërsia shqipe si letërsi, është letërsi që ka personalitete shumë të fuqishme. Shkrimtarët shqiptarë, e kanë krijuar atdheun e tyre estetik tashmë. Shqipërinë estetike. Kjo është shumë më e rëndësishme sepse kjo do të edukojë brezat e ardhshëm, do të kalojnë këto tollovi që kalojmë neve tani, do të vijnë brezat e ardhshëm, e ata do të edukohen nga atdheu estetik. E nënvizoj ATDHEU ESTETIK, që kanë krijuar shkrimtarët shqiptarë me gjeneratat e tyre. Dhe këto gjenerata, e kanë bërë mirë, e kanë bërë me dinjitet, e kanë bërë me një kulturë të fortë evropiane, detyrën e tyre ndaj këtij atdheu estetik të tyre.

Fërkimet në mes të krijuesve janë të pranishme. Si i shihni ju z. Arapi?
Fatos Arapi: Ajo është e natyrshme fare, as mos u tronditni fare. Që në kohët antike, Juvenali, poeti romak, thoshte “ Po ku ka në Romën e vjetër një kënd që nuk punohen pranga për poetët”? Edhe unë kam një poezi që them që “poetët lindin me pranga në duar…”. Poetët lindin me pranga në duar, por ata nuk i shohin prangat. Kjo është ana e mirë e tyre. Ata nuk i shohin prangat sepse ata ndjekin idealet e lirisë, idealet e humanizimit, idealet e njerëzimit, të poezisë së tyre, të anës së bukur, të harmonisë, të dashurisë midis popujve, midis njeriut, të zhbirimit të shpirtit njerëzor, i cili është kaq i pasur. Kështu që, edhe pse lindin me pranga në duar poetët, vazhdojnë punën e tyre dhe poezia vazhdon punën e saj. Megjithëse thonë të zhduket, jo andej e jo këndej, ato nuk janë asgjë, poezia do të jetojë sa të jetë njerëzimi.

A kemi ne shqiptarët, kandidatë të denjë për çmimin Nobel për Letërsi?
Fatos Arapi: Këtu më vure në një pozitë jo të mirë. Këto çmimet janë nganjëherë fatet, janë momente komplekse, bile bile, ishte një tezë e madhe që thoshte se nganjëherë çmimet i zhvlerësojnë shkrimtarët dhe poetët, por nuk kemi çka ju bëjmë. Derisa ekzistojnë, ekzistojnë. Nuk di çka të them për ato punë.

A mund ta përmendësh ndonjë nga shkrimtarët tanë, që ti do ta nominoje për këtë çmim?
Fatos Arapi: Për çmimin Nobel? Ta nominoja unë? Nuk do të pranoja ta bëja këtë punë, jo se ka apo nuk ka. Mund të ketë, mund të mos ketë por, unë vet nuk do të guxoja dhe nuk dua që të merrem me këtë punë që të përcaktojë sepse për mua nuk ka shumë rëndësi.

Diçka për fund?
Fatos Arapi: E para dhe e gjitha, të studiojnë vetveten, shpirtin e tyre, ta kultivojnë shpirtin e tyre, ta bëjnë atë shpirt me të vërtetë një shpirt të një njeriu të epokës në të cilën jetojmë, epokë e cila është me të vërtetë shumë e zhurmshme, shumë e vrullshme, por që jep mundësi shumë të mëdha për zhvillimin e shpirtit njerëzor. Mbi të gjitha, ne shqiptarët, kemi nevojë të njohim vetveten, të njohim historinë tonë, sidomos të kaluarën historike dhe të mos e ulim kokën para askujt. Por në të njëjtën kohë, të kemi dashuri, respekt, dinjitet për çdo njeri, për të gjithë. Për fqinjët, për njeriun në përgjithësi. Liri, njerëzi dhe dashuri midis njerëzve. Ky është mesazhi im.

Pak biografi

Fatos Arapi lindi më 1930 në Zvërnec të Vlorës. Ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, më pas punoi në Tiranë në fillim si gazetar dhe më vonë për një kohë të gjatë si pedagog. Fatos Arapi, bashkë me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, bën pjesë në ata poetë që sollën një kthesë të rëndësishme në poezinë shqiptare të viteve ’60. Arapi solli në këtë poezi elemente të modernizmit, madje të hermetizmit. Ai u orientua nga poezia filozofike. Veçanërisht origjinale janë dy përmbledhjet e tij të para poetike "Shtigje poetike" (1962), "Poema dhe vjersha" (1966), "Ritme të hekurta" (1968) është më konform iste. Më 1971 botohet në Prishtinë vëllimi "Kaltërsira ". Vëllimin "Më jepni një emër" ia ndaloi diktatura. Pasojnë vëllimet: "Drejt qindra shekujsh shkojmë" (1977), "Fatet" më 1979, "Duke dalë prej ëndrrës" (1989). Pas rënies së diktaturës botoi vëllimet "Ku shkoni ju statuja", T 1990, "Dafina nën shi", T. 1991, "Ne, pikëllimi i dritave ", T. 1993, "Unë vdiqa në brigjet e Jonit", Shkup, 1993, "Më vjen keq për jagon ", T. 1994, In tenebris, T. 1996. Fatos Arapi është një poet që parapëlqen temat ekzistenciale dhe një nga poetët e rrallë shqiptarë që trajtojnë në poezinë e tyre temën e detit. Ka shkruar edhe romanet "Dhjetor i shqetësuar" (I970), "Dikush më buzëqeshte" (1972), "Shokët", 1974, "Deti në mes ", 1986, novelat "Patat e egra" (1970), "Cipa e dëborës, “Gjeniu pa kokë” (1999), disa drama: “Partizani pa emër” (1962), “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku” (1995). Ka shkruar edhe vëllime me kritikë letrare.
Ndërsa, për herë të parë në historinë 50-vjeçare të "Netëve Poetike të Strugës", një poet shqiptar, Fatos Arapi, fiton "Kurorën e Artë".

/Telegrafi/

Exit mobile version