Kandidati për kryetar të komunës së Kamenicës nga radhët e AAK-së, Faton Jakupi, ka premtuar se me ardhjen e tij në krye të kësaj komune do të punojë për zgjidhjen e problemeve esenciale të qytetarëve, duke thënë se Kamenica ka nevojë për shumë ndryshime.
Ai ka thënë se dora e qeverisjes qendrore në komunën e Kamenicës ka munguar tash e sa kohë, por shpreson se me qeverisjen Haradinaj do të ketë ndryshime pozitive.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj,. ka thënë se banorët duhet të kthehen për të jetuar në këto treva që ndodhen në afërsi të kufirit.
Ndryshe, Haradinaj dhe kandidati për të parin e Kamenicës, të shoqëruar edhe nga bashkëpartiakët e tyre dhe qytetarë të Kamenicës kanë ecur këmbë për pesë kilometra, duke filluar nga e ashtuquajtura “Reka e Kremenatës” deri te fshati Kremenatë.
Kremenata është fshat kodrinor-malor. Ky fshat po ashtu është edhe në afërsi të kufirit me shtetin serb. /KP/