Aktivitetet e ditës për kandidatin e AAK-së për kryetar të komunës së Pejës Fatmir Gashi janë karakterizuar me vizita në biznese kryesisht prodhuese e të njohura në Pejë.
Në këtë kuadër, bashkë me pjesë të ekipit të tij dhe kandidatin nga lista e AAK-së Arbër Grabovcin, Gashi ka qëndruar për vizitë në Fabrikën për Përpunimin dhe konservimin e mishit “Buquku” dhe Kompaninë “Gacaferi”.
Gashi i AAK-së ka vlerësuar lart rolin e bizneseve prodhuese pejane duke premtuar se pas 22 tetorit këto kompani do ta kenë krah komunën e Pejës.
“Të rralla janë kompanitë kosovare të cilat kanë traditë të madhe në punën që e bëjnë, por ndryshe është në rastin e kësaj fabrike, një gjigand ku bashkëdyzohet tradita dhe teknologjia e fundit evropiane. Kështu gjen vetëm në Pejë. Pas 22 tetorit kjo ndërmarrësi dhe të tjera sikur kjo do ta kenë partnerë dhe krahë të fuqishëm komunën e Pejës”, ka thënë Gashi pas vizitës në Fabrikën ‘Buquku’.
Në kompaninë Gacaferi, Fatmir Gashi është pritur nga pronari Naim Gacaferi dhe stafi punues. Vlerësime të larta Gashi ka pasur edhe për këtë ndërmarrësi.
“Kompania “Gacaferi” që me prodhimin e mobileve dhe produkteve pasuese të drurit, fal traditës dhe teknologjisë së lartë ka pushtuar jo vetëm tregun kosovar, por suksesshëm ka depërtuar kualitativisht me eksport në tregun e BE-së. Peja ka potencial. Peja është qytet i biznesit. Duhet ta mbajmë”, ka thënë Gashi.