Një delegacion i Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) është duke qëndruar në Rusi, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Federatës Ndërkombëtare të Automobilzimit, ndërsa theks i veçantë po i kushtohet sigurisë rrugore.
Përveç shumë personaliteve të njohura të auto sportit, delegacioni i FASK-ut, i udhëhequr nga kryetari Ismet Rexhepi, është takuar edhe me ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, lordin George Robertson.
Impakti i lordit Robertson si drejtues i Fondacionit të FIA-s është i jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë rrugore.
Delegacioni i FASK-ut dhe AMCK (Auto Moto Club Kosova) u zotua se do të punojnë intensivisht në fushën e sigurisë rrugore në mënyrë që të vendoset si prioritet shtetëror.
Kryetari Rexhepi është shprehur i kënaqur takimet e zhvilluara dhe me pritjen që i është bërë FASK-ut nga zyrtarët më të lartë të FIA-s dhe ata të Federatës ruse të auto sportit.
“Kemi pasur shumë takime të frytshme me zyrtarë të lartë të auto sportit, por gjithsesi takimi me Lordin Robertson është i veçantë. Delegacioni ynë ka premtuar se do t’i kushtohet rëndësi e madhe sigurisë në rrugë, por është biseduar edhe për aspektin sportiv”, ka thënë Rexhepi.
Në Shën Petersburg është bërë edhe shpallja e më të mirëve për vitin 2018 për të gjitha dispilinat.