Telegrafi

FASK kërkon leje për mbajtjen e këtyre garave

Pas zbehjes së pandemisë dhe lehtësimeve të bëra, madje edhe lejimit të rifillimit të futbollit, Federata e Auto Sportit e Kosovës kërkon që të lejohet zhvillimi edhe i garave në automobilizëm, sidomos të atyre në të cilat mundësia e përhapjes së virusit është fare e vogël. Natyrisht që garat do të zhvilloheshin pa shikues.

Për këtë arsye FASK ka mbajtur një mbledhje, pas së cilës ka lëshuar këtë njoftim lidhur me ndryshimin e kalendarit të garave dhe kërkesën për lejimin e tyre.

Të nderuar dashamirë të automobilizmit,

Bordi i FASK-ut në mbledhjen e saj të datës 27.05.2020, ka analizuar situatën në të cilën gjendemi dhe ka miratuar ndryshimet në kalendarin e garave si dhe ka vendosur që te kërkohet leje për organizimin e garave.

Gjatë muajit qershor planifikohen të mbahen garat si në vijim:
13-14/06/2020, Disiplina: Drag, Vendi: Pista e vjetër e Aeroportit – Sllatinë
21.06.2020, Disiplina: Auto Slalom, Vendi: Pista e vjetër e Aeroportit – Sllatinë
26 – 28.06.2020, Disiplina Malore, Vendi: Kullë/Pejë.

Duke u mbështetur në infrastrukturën sportive që e kemi në dispozicion dhe natyrën e sportit tonë, ku mund të ndërmerren të gjitha masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kundër përhapjes së pandemisë Covid 19, FASK ka bërë kërkesë në Institucionet e Republikës së Kosovës për lejimin e organizimit të aktiviteteve sportive.

Posa të marrim një përgjigje nga institucionet përkatëse, ne do t’ju mbajmë të informuar.
Me respekt, FASK