Telegrafi

Farmacia e natyrës

Kundër gazrave të zorrëve

Mjaft persona vuajnë nga gazrat e zorrëve, sidomos pas drekës, gjatë orëve të pasdites. Këta persona shfaqin ënjtje dhe fryrje të barkut. Ekzistojnë mjaft bimë të cilat ndihmojnë në lehtësimin dhe qetësimin e kësaj gjendjeje. Njëra prej tyre është edhe sherbela.

1) Ziejmë 10 gr. sherbelë në një çajnik me 2 gota ujë dhe pimë njërën gotë në drekë dhe një në darkë, pas ngrënies.

2) Në 2 gota ujë të nxehtë hedhim 5 gr. borzilok dhe e lëmë për 10 min. E lëmë të ftohet dhe pimë njërën gotë në drekë dhe një në darkë, pas ngrënies.

3) Të njëjtin efekt kurues kanë edhe gjethet e hithrës. Ziejmë disa gjethe dhe kërcej hithre në 2 filxhanë çaji ujë dhe e konsumojmë lëngun pasi të jetë ftohur, pas drekës dhe pas darkës.

Qepa, mbrojtës kundër kollës

Vetitë e saj kuruese janë mjaft të njohura prej të gjithëve, por konkretisht më poshtë po ju paraqesim recetën e një shurupi mjaft efektiv kundër kollës.

Presim 6 epë dhe i vendosim në një enë, së bashku me gjysmë filxhani mjaltë. I lëmë të ziejnë në zjarr të ngadaltë për rreth 2 orë dhe në vazhdim i kullojmë. Këtë shurup natyral e përdorim shpesh dhe të vakët.

Menta për pagjumësi

Përdorim të gjerë kanë edhe gjethet e mentës, të cilat preferohet të evitohen prej personave nervozë, sidomos pas darkës, sepse menta ka aftësinë të shpejtojë punën e sistemit nervor duke shkaktuar pagjumësi. Zieni 8 gr. gjethe mente në 2 gota ujë dhe pimë nga një gotë pas drekës dhe darkës.

Për pastrim dhe qarkullim të mirë të gjakut

1. Një nga bimët me efekte pastruese të gjakut është lakra e egër ose e quajtur ndryshe lakër radhiqe. Kjo lakër ka lule të vogla të verdha. Përveç konsumimit të lakrës, mund të pini edhe lëngun e saj, të shoqëruar me pak limon nëse dëshironi.

Për rezultate akoma më të mira, mos i zieni lakrat, por hidhni 15 gr. prej tyre në 2 gota me ujë të nxehtë, lërini për 10 min dhe pastaj i pini. Ekzistojnë edhe radhiqe me lule blu. Mund t’i mblidhni, t’i thani dhe t’i ruani për t’u përdorur gjatë dimrit. Doza e përdorimit për 15 gr. radhiqe të thata është 2 gota uji të mëdha.

2. Lëngu i kokëlakrës së zier është gjithashtu mjaft i mirë dhe efektiv. Zieni lakrën dhe pini 2-3 gota në ditë, të shoqëruar me pak lëng limoni.

Për të ruajtur peshë normale

Pothuajse shumica prej nesh e njeh faktin që kamomili ndihmon në ruajtjen e peshës normale. Konsumoni 1 filxhan çaji kamomil të ngrohtë menjëherë pas vakteve. Hedhim 4 gr. kamomil në 2 filxhanë çaji me ujë të nxehtë, e lëmë për 10 min, e kullojmë dhe e pimë. Ia vlen të theksojmë se kamomili nuk duhet zier, sepse gjatë zierjes shkatërrohen vajrat eterike që përmban.

Ndoshta ju duket e paktë sasia e rekomanduar më lart, por duhet të keni parasysh se kamomili duhet përdorur me rregull. Përdorimi i tij i shpeshtë dhe në sasi të mëdha, mund të sjellë rezultate krejt të kundërta nga ato që dëshirojmë, si p.sh. acarime nervore, zverdhje të lëkurës dhe dhimbje koke.

/Telegrafi/