Një grua 76-vjeçare indiane, e cila besohej se ishte e vdekur pasi doli pozitive me coronavirus, tronditi anëtarët e familjes së saj kur u zgjua disa minuta para se t’i digjej trupi, raportuan mediet lokale.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, gruaja, e identifikuar si Shakuntala Gaikwad nga Baramati, pati rezultuar pozitive me coronavirus javën e kaluar.
Pasi gjendja e saj u përkeqësua, anëtarët e familjes e dërguan në një spital më 10 maj, por nuk ishin në gjendje të siguronin një shtrat për të pasi të gjitha pavijonet ishin plot.
Derisa ata prisnin jashtë me një automjet privat, gruaja u bë pa ndjenja, duke bërë që familja të besonte se ajo kishte ndërruar jetë.
Familja e ktheu atë në shtëpi dhe filluan të përgatiten për varrimin, por pak para se të fillonte djegia e trupit, Gaikwad hapi sytë dhe filloi të qante, sipas medieve lokale.
Gruaja u dërgua përsëri në spital për trajtim të mëtejshëm, megjithatë gjendja e saj aktuale nuk dihet. /Telegrafi/