Telegrafi

Facebook – fitim gjysmë miliardi?

Kompania e cila lëviz Google nga vendi i parë për kah popullariteti, por edhe të hyrave nga reklamimi në internet, Facebooku i famshëm, vitin e kaluar e ka përfunduar ‘në plus’, çështje e hapur mbetet vetëm sa ka qenë ai plus i madh.

Sipas raportit të Reuters i cili thirret në dokumentet nga Goldman Sachs, në nëntë muajt e parë të 2010-ës Facebook ka pasur të hyra të përgjithshme prej 1.2 miliardë dollarësh, dhe fitim të pastër prej 355 milionë dollarësh. Ani pse përllogaritjet përfundimtare ende nuk janë kryer tërësisht, pritet se fitimi i përgjithshëm për vitin e kaluar do të duhej të jetë rreth gjysmë miliardë dollarë ose pak më shumë.

Këto të dhëna janë publikuar në kuadër të memorandumit të cilin Goldman Sachs ndanë me myshterinjtë e tij të fuqishëm të cilët i fton në investim të tërësishëm shtesë prej 1.5 miliardë dollarësh në Facebook. Sipas prognozave të njëjta, këtë vit Facebook do të mund të realizonte fitim të pastër prej 800 milionë deri në një miliard dollarë. /Telegrafi/