Telegrafi

F1, Çmimi i Madh i Kinës: Fituesi mes Hamilton dhe Vettel

Botërori i Formulës 1 rikthehet këtë fundjavë me Çmimin e Madh të Kinës.

Ashtu si në garën e Australisë, në Melbourne, pritet që dueli për fituesin të jetë mes Lewis Hamilton dhe Sebastian Vettel.

Piloti britanik, tre herë kampion bote, tashmë ka mbërritur në vendin aziatik, ku mori pjesë në një takim me tifozët e Formulës 1 në Pekin.

Hamilton u rendit i dyti në garën e 26 marsit, pas pilotit të Ferrarit, e padyshim synimi i tij është që në Shanghai ai të ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit, gjë që e pohoi ai vet për “Reuters” duke deklaruar se është plotësisht gati për sfidën e radhës.

Për Lewis Hamilton, pista e Shanghait ka kujtime të këndshme, duke qenë se britaniku ka fituar atje plot katër herë dhe këtë vit do të kërkojë suksesin e tij të pestë, transmeton TCh.

Ashtu si Hamilton, edhe Vettel duket se është gati për garën e dytë të vitit në Formula 1. Në Kinë, piloti gjerman i Ferrarit do të kërkojë të konfirmojë suksesin e arritur në Melbourne, që sipas tij nuk ishte aspak i rastësishëm.

“Fitorja në Australi ishte një arritje madhështore, nuk ishte aspak një mrekulli. Suksesi në atë garë është vetëm maja e ajsbergut. Nuk do të ndalemi me kaq, pasi është vetëm fillimi. Detyra jonë është që të vazhdojmë punën në këtë drejtim”, tha Vettel.