Site icon Telegrafi

Evropa ashpërson garën për Kupën e Kosovës

Secila prej katër skuadrave gjysmëfinaliste të Kupës së Kosovës në futboll synon trofeun që pritet t’i hapë rrugë për gara evropiane stinorin e ardhshëm, megjithëse dy prej tyre janë në situatë të pafavorshme për shkak të humbjeve në ndeshjet e para, shkruan sot Koha Ditore.

Në ndeshjet kthyese gjysmëfinale të Kupës që zhvillohen të mërkurën (sot, 15:30) do të përballen Llapi – Prishtina dhe Drita – Trepça ’89. Prishtina e fitoi 3:0 ndeshjen e parë, kurse Trepça ’89, 1:0.

“Nuk dyshoj fare në përmbysje të rezultatit, sepse kam skuadër me karakter të fortë. Nëse e kalojmë këtë sfidë të vështirë besoj se do të jemi me një këmbë në Ligën e Evropës. Ne meritojmë të jemi pjesëmarrës në garat evropiane, pasi kemi treguar paraqitje të mira në kampionat. Do të jetë sfida e karrierës për të gjithë, ndeshja ndaj Prishtinës”, ka thënë trajneri i Llapit, Tahir Batatina.

Nga stinori i ardhshëm pritet të garojnë në Evropë dy skuadrat e para në renditje, Ferronikeli dhe Hajvalia dhe fituesi i Kupës.
Dyshime se do ta fitojë vendin në Ligën e Evropës, nuk ka as trajneri i Prishtinës, Fadil Berisha. Trajneri Berisha beson se qëllimi për ta fituar Kupën do të realizohet.

Exit mobile version