Site icon Telegrafi

Evoluimi i Fatime Kosumit në ANDRRA – Vajza që nuk është më e “trent”

Foto: AndrraMusic/Instagram

U bë e njohur për publikun që me projektin e saj të parë muzikor, i cili ishte një bashkëpunim i suksesshëm me Tingullin 3nt. Fatime Kosumi ishte shndërruar në një prej këngëtareve më të pëlqyer të momentit deri sa befas do të “zhdukej” për vite me radhë nga skena muzikor. Artistja Kosumi nuk është më e njëjta si dikur – kjo pasi ajo vendosi që të bëjë një ndryshim radikal në rrugëtimin e saj  drejt muzikës. 

Ajo tashmë njihet si ANDRRA, ngase pasi kështu vendosi ta quajë veten e saj pas evoluimit që bëri në muzikë, duke u “konvertuar” në një këngëtare të stilit ‘jazz’ dhe ‘groove’.

Pas kaq vitesh, Fatime Kosumi (Andrra) vjen në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, për të rrëfyer shumëçka rreth jetës dhe karrierës së saj, dhe mbi të gjitha ndryshimit të tërësishëm që ajo pësoi me kalimin e viteve, duke arritur më në fund të bëhet artistja që gjithmonë ka ëndërruar…

Andrra, jeni një prej artisteve më unike të skenës, pasi i këndoni këngët në një stil të veçantë. Përse keni zgjedhur këtë mënyrë prezantimi para publikut?

Më pëlqen të eksperimentoj në muzikë dhe nuk kam kërkesa nga ajo apo nga publiku – atij mund t’i pëlqejë apo edhe të mos i pëlqejë. Ky qëndrim për mua është liri dhe kjo liri ma jep mundësinë të krijojë atë që dua.

Fatime Kosumi – ANDRRA (Foto: AndrraMusic/Instagram)

Publiku ju njeh më shumë si Fatime Kosumi e hitit “Ai është i 3nt”. Na trego pak sa je nostalgjike për atë kohë, kur këndoje në atë zhanër?

Ajo kohë dhe ai bashkëpunim është shumë i rëndësishëm për mua. Kam shumë respekt për atë çfarë kemi krijuar së bashku me Tingullin 3. Ishim shumë më të rinj në atë kohë dhe kam mësuar shumë nga ky bashkëpunim. Unë tani në retrospektivë me shumë dashamirësi e kujtoj.

Pse më pas pauzuat për një kohë aq të gjatë në muzikë?

Në Kosovë kam punuar me plot muzicientë të mrekullueshëm dhe kam eksperimentuar në disa zhanre, por nuk e pata gjetë ‘zërin’ tim. Pasi që u shpërngula në Berlin, kisha nevojë me hulumtu për me gjetë mënyrën më të mirë me punu me muzikë.

Si ndodhi që evoluove në muzikë, dhe vendose të riktheheshe në një stil krejt ndryshe, duke kënduar këngë të lehta?

Vendosa me këndu për tema që më duken relevante, që më interesojnë dhe për të cilat kisha nevojë dhe dëshirë të flisja. Edhe unë si njeri kam evoluar e rrjedhimisht edhe muzika. Është me rëndësi për mua që muzika të jetë së paku aty ku jam unë.

A ka shanse që të rikthehet Fatimja e dikurshme, dhe a mund të ndodhë në një të ardhme sërish një bashkëpunim me Tingullin 3nt?

Nuk dua të përjashtoj asnjë gjë. Ka shumë muzikë të zhanrit Hip Hop / Rap që më pëlqen shumë, por për momentin nuk kam imagjinatë me paramendu një bashkëpunim të tillë – por ndoshta ndonjëherë e kam apo e ka dikush.

Fatime Kosumi dhe Tingulli 3nt (Foto: Ai osht i 3nt/YouTube)

Së fundmi publikuat këngën “Moj Nano”. Na flisni pak rreth këtij projekti, Sa është i veçantë ai për ju?

‘Moj Nano’ është kënga e fundit nga EP-ja ime e PALINë. Është këngë dhe projekt shumë i veçantë për arsye se shërben si një zë për vajza dhe gra që zakonisht nuk kanë mundësi me i tregu tregimet e tyre. Nëna ime është një nga ata zëra të padëgjuar. Shumë nga nënat tona, posaçërisht ato nga vendet rurale, nuk e kanë pasur mundësinë të shkollohen dhe rrjedhimisht tregimet e tyre shumë herë mbetën të margjinalizuar.

Përse ANDRRA është emri juaj i ri artistik?

Sepse më pëlqen…

ANDRRA: “Është me rëndësi për mua që muzika të jetë së paku aty ku jam unë” (Foto: AndrraMusic/Instagram)

Cili është misioni dhe çelësi i suksesit të Andrrës?

Liria besoj. Jam e lirë të punoj ashtu siç dua për arsye se jam e gatshme me i pranu rezultatet – çfarë do që janë. Frika nga dështimi shpesh herë na kufizon, prandaj për mua është e rëndësishme me u ballafaqu me të e rrjedhimisht me u liru nga ajo.

Sa e keni gjetur veten në këtë treg muzikor kaq komercial, ku vështirë se vlerësohet muzika dhe stili të cilin e praktikon ti. Të vjen keq për këtë fakt?

Unë nuk e definoj vetën përmes tregut muzikor – komercial apo edhe ‘underground’. Është e drejtë e secilit me dëgju çfarë i pëlqen. Unë e respektoj dhe e mbroj këtë të drejtë – a të pëlqen ANDRRA a Gena nuk luan rol.

ANDRRA: “Jam e lirë të punoj ashtu siç dua për arsye se jam e gatshme me i pranu rezultatet” (Foto: AndrraMusic/Instagram)

Jetoni në Berlin. Na trego pak si është jeta jote atje?

Më është dashur disa vite për me gjetë ritmin e rrethin tim në Berlin por tani jam aty ku dua të jem. Berlini më ka përkrahur shumë në zhvillimin tim si artiste dhe vazhdon ta bëjë atë.

Jeni marrë edhe me regji dhe film. Si ka qenë kjo eksperiencë për ju?

E dua shumë aspektin vizual në muzikë dhe kjo më ka shtyrë të eksperimentojë në këtë drejtim. Është pjesë shumë e rëndësishme e artit tim.

Moto e jetës?

“Kape friken, përdore sikur të ishte një fëmijë i vogël dhe vazhdo rrugën tënde”.

Fatime (Andrra), faleminderit shumë që ishe në këtë intervistë. Cili do ishte mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit?

Ju përshëndes juve dhe lexuesit e Telegrafit me plot dashni nga Berlini. Shihemi se shpejti ne Kosovë. /Telegrafi/

ANDRRA: “Kape friken, përdore sikur të ishte një fëmijë i vogël dhe vazhdo rrugën tënde” (Foto: AndrraMusic/Instagram)
Exit mobile version