Site icon Telegrafi

Evi Reçi: Çdo gjë ndodh për një qëllim!

Intervistoi: Gentian Minga

Këngëtarja Evi Reçi është një nga talentet e reja shqiptare, e cila po i ngjit me sukses shkallet e karrierës së saj, duke u bërë një nga emrat e dashur për publikun. Me këngën dhe modelimin ajo ka arritur që të jetë sot një prej atyre njerëzve, që jeta deri më tani i ka falur shumë momente të bukura dhe plot emocione.

Evi, kemi parë disa spote shumë të bukura, ku protagoniste je ti. Si u bëre imazh i këtij produkti?
Ideja ishte e grupit nga Prishtina ‘Entermedia’, ato që kanë bërë dhe videoklipin tim të fundit. Kishin vendosur të bënin xhirimet në Itali të këtij produkti dhe më propozuan mua. Së bashku me Joni Baçi Alizotin, kemi interpretuar rolet e një çifti që ndodhet ne Venecia dhe në Piza dhe shijojmë biskotat ‘Sempre’.

Për faktin që tashmë je imazh i një produkti, është shkruar edhe në blogjet italiane … Kjo nuk është pak, apo jo?
Sigurisht që jo! Artikulli i parë ka qenë në ‘Unicitta’, ku bëj pjesë dhe unë si gazetare. Ky artikull, ka qenë një surprizë nga kolegët e mi. Më vonë, një tjetër vajzë nga universiteti im, e cila shkruan për gjërat që ndodhin në Toskanë, më bëri një intervistë dhe e publikoj te blogu i saj, i cili është një nga më të suksesshmit dhe interesantët këtu në Firence. I falënderoj!

Si një gazetare në hapat e parë të saj, pasi studion për Komunikim, edhe ti, herë pas here ke shkruar në medien italiane …
Kam më shumë se një vit që shkruaj për çdo javë te gazeta ‘Unicitta’, në sektorin artistik, ku intervistoj artistë të rinj dhe të famshëm; shkruaj për eventet muzikore që ndodhin në Itali dhe në botë. Ndihem shumë mirë në këtë grup ku ndodhem dhe shpresoj që dalëngadalë të arrij sa më shumë e të përmirësohem.

Kaq shumë gjëra në të cilat ke sukses, muzika, moda, gazetaria. Si ia del t’i bësh të gjitha këto?
E kam thënë dhe do ta them vazhdimisht se një njeri ka shumë prirje … Puna është të organizohet dhe t’ia dalë mbanë në ato që di të bëjë.

Evi, nuk t’u desh shumë kohë për të krijuar profilin tënd dhe shumë fansa në tregun muzikor… Çfarë mendon se të bëri aq popullore dhe të dashur brenda një kohe të shkurtër?
Zgjedhja e këngëve, bashkëpunëtorët e mirë e profesionistë dhe mbi të gjitha, dashurinë dhe durimin për punën që bën.

Këngët e tua i janë besuar Flori Mumajesit, me të cilin madje ke pasur dhe një bashkëpunim, që u bë hit …
Me Florin njihemi që nga 2009-a, kur ai firmosi dhe këngën time pjesëmarrëse te edicioni i atij viti në ‘Kënga Magjike’. Që atëherë, nuk jam ndarë!

‘I ngjan asaj’ ishte pikërisht dueti me Florin … Në jetën tënde të vërtetë, ishte kanë qenë ndonjëherë pjesë e lidhjes apo historisë së dashurisë?
Mua jo! Kjo nuk do të thotë se, çdo këngë përfaqëson dhe jetën private të atij që e interpreton. Duhet të pyesni Florin që e ka shkruar. (Buzëqesh)

Çfarë kujton nga fillimet e tua në muzikë? Kanë qenë të thjeshta dhe argëtuese apo të lodhshme dhe ndonjëherë, edhe të shkurajonin?
Në qoftë se bëhet fjalë në fillimet e para fare, kur këndoja te shkolla e muzikës, ka qenë shumë argëtuese dhe shumë pak stres. Në qoftë se bëhet fjalë për fillimet e mia në Shqipëri, hapat e parë i kam hedhur pikërisht në festivalet shqiptare … Mund të them se aty ka pasur momente trishtimi, mërzitjeje dhe momente të bukura, por kam marrë një mësim shumë të mirë për të ecur përpara.

Çfarë të shtyu të merreshe me muzikë dhe e sheh më tepër si profesion apo si një pasion pa shumë detyrime?
Po bëj shumë sakrifica dhe harxhoj shumë kohë me muzikën për ta konsideruar thjesht një hobi … Tashmë, pasioni që më shtyu në fillim është pjesë e atyre që bëj normalisht, por që e shoh më seriozisht tani, duhet ta pranoj.

Çfarë mendon për festivalet? Ka shumë artistë që kallë hequr dorë prej tyre …
Unë nuk kam hequr dorë. Po bëj thjesht një pauzë, pasi kam marrë pjesë katër vjet rresht. Tani dua të merrem me planet e tjera që kam dhe më vonë, nuk i dihet, mbase do t’i rikthehem.

Çfarë natyre je? Si do ta kishe përshkruar veten tënde ose sitë shohin më së shumti të tjerët?
Jam një natyrë shumë e qetë, dëgjoj njerëzit kur më flasin dhe nuk i ndërpres fare. Më pëlqen të ndihmoj, kur kam mundësinë. Jam ndonjëherë shumë egoiste dhe kokëfortë.

Cili është kujtimi më i veçantë që ruan nga fëmijëria jote?
Dita që i kam rënë violonçelit në kopsht, kur isha pesë vjeçe. Një fëmijëri plot muzikë, kush nuk do ta dëshironte?

Nga paraqitjet e tua publike, dukesh tepër e familjarizuar me modën… Je një ndjekëse besnike e saj?
Jam e familjarizuar me modën, është e vërtetë, por jo, nuk e ndjek hap pas hapi. Vesh ato që më shkojnë dhe me të cilat mund të ndihem mirë.

Cila është marka jote e preferuar dhe cili, stili yt i preferuar në të veshur?
Marka janë disa dhe nuk specifikoj ndonjë, por kohët e fundit më pëlqen stili ‘vintage’ (vintazh), që kam filluar ta përdor shumë.

‘Dhe jemi të dy’ ka qenë një nga hitet e Top 10 të 20l1-s…Si të bën të ndihesh ky fakt?
S’ka gjë më të bukur se kur njerëzit, edhe pas gati një viti, vazhdojnë e dëgjojnë dhe e pëlqejnë këtë këngë! Jam krenare për këtë punë që kemi realizuar me Florin. Kjo na dha një shtytje gjigante për të vazhduar. Do të vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë asaj linje që kemi krijuar tek unë, pasi për pak kohë do të dalë kënga e re që është duke u përfunduar.

Ke rënë ndonjëherë në dashuri?
Do ta kuptoni nga këngët që do të nxjerr, nëse kam rënë ndonjëherë në dashuri. (Qesh).

Cila është motoja jote e jetës… për ta mbyllur këtë bisedë?
Çdo gjë që mund të ndodhë si pengesë ose si shtytje, ndodh për një qëllim.

/Telegrafi/

Exit mobile version