Nga 51 përfaqësueset të cilat garojnë, vetëm 14 prej tyre do të kenë fatin të arrijnë në finale. Në të vërtetë do të jenë 16 ekipe të cilat do të luajnë në Euro 2012, por dy prej tyre janë pushtuar nga dy nikoqirët e garës, Polonia dhe Ukraina.
Zhvillimet e javës së parë pak a shumë qartësuan se kush mund të jenë përfaqësueset që do të mund të kualifikohen në finale, por edhe kush mund të befasojë.
Parashikimet e grupeve:
Grupi A: Gjermania dhe Turqia janë dy favoritët e grupit të parë. Derisa gjermanët mposhtën disi me zor Belgjikën, Turqia shkatërroi me rezultat 3-0 Kazakistanin. Nga ekipet që mund të befasojnë në këtë grup janë Austria dhe Belgjika.
Grupi B: Rusia, Irlanda dhe Sllovakia, që të tria e filluan me fitore kampanjën për kualifikim në Euro 2012, dhe lufta do të jetë e hapur në mes të të tre këtyre ekipeve.
Grupi C: Edhe në këtë grup janë tre ekipe të cilat do të luftojnë ngushtë për kualifikim në garën evropiane: Italia, Irlanda Veriore dhe Serbia. Italianët shihen si favoritë në grup, pavarësisht vështirësive që patën në takimin e parë ndaj Estonisë, ndërsa për pozitën e pritet të luftojnë dy ekipet tjera.
Grupi D: Grupi ku bën pjesë edhe Shqipëria, mund të jetë grupi më i paparashikueshëm. Bosnja dhe Franca janë parë si favorite, por fitorja e Bjellorusisë ndaj Francës e ka bërë edhe më të hapur garën. Rumania në anën tjetër po ashtu shihet si një ekip që mund të bëjë befasi, ndërsa pavarësisht dëshirës tonë, Shqipëria së bashku me Luksemburgun shihet si autsajder.
Grupi E: Holanda dhe Suedia janë favoritë të padiskutueshëm në grupin E, ku mund të befasojnë Hungaria. Finlanda, që është parë po ashtu si një pretendues për kualifikim, befasisht u mposht nga Moldavia në rundin e parë.
Grupi F: Kroacia dhe Izraeli fituan bindshëm në takimet e rundit të parë dhe janë favoritë për të qenë pjesë e garës evropiane pas dy vitesh. Greqia, e cila është parë po ashtu si favorite, nuk arriti të nxjerrë më shumë se një pikë në ndeshjen e parë si nikoqir i Gjeorgjisë, dhe tashmë shihet si autsajder.
Grupi G: Anglia fitoi bindshëm ndaj Bullgarisë me tre golat e Jermaine Defoe. Anglezët nuk parashihet ta kenë të vështirë kualifikimin në Euro 2012, ndërsa pritet të shoqërohen në finale nga Zvicra, e cila pushoi në rundin e parë të eliminatorëve. Befasia mund të vijë edhe Mali i Zi që po ashtu filloi kampanjën kualifikuese me fitore 1-0 ndaj Maltës.
Grupi H: Edhe pse befasisht u ndalua me barazim nga Qipro, Portugalia shihet favorite për t’u kualifikuar nga grupi H. Danimarka, e cila ishte e lirë në javën e parë, po ashtu pritet të kualifikohet. Befasi në këtë grup mund të jetë Norvegjia, e cila fitoi në ndeshjen e parë me rezultat minimal ndaj Islandës.
Grupi I: Spanja është favorit absolut në këtë grup. Kampionët e botës patën një sfidë të lehtë në javën e parë, duke mposhtur Lihtenshtajnin. Ata pritet të shoqërohen nga Republika Çeke, si të kualifikuarit e këtij grupi, por befasia mund të vijë edhe nga Skocia dhe Lituania, që po ashtu ndodhen në këtë grup. /Telegrafi/