Gjatë studimit të bërë, kam vërejtur se nuk është aq i mirë perceptimi i njerëzve në lidhje me nivelin e etikës së menaxherëve të firmave financiare në Kosovë. Komentet që zakonisht i kam dëgjuar kanë qenë: “atje mund të punësohesh vetëm nëse e ke dikë të njohshëm”, ose “mund të punësohesh vetëm nëse e bënë gati një shumë të majme të parave”.
Këto komente krijojnë një mit për të cilin mund të thuhet se bizneset me veprimtari financiare janë biznese të amoralshme, pasi që individët të cilët gëzojnë pozita menaxhuese nuk janë të interesuar t’i respektojnë çështjet etike ose të marrin vendime të ndershme dhe të drejta.
Në Kosovë janë bërë shumë pak hulumtime dhe jo dhe aq shumë i është kushtuar vëmendje çështjeve etike: qoftë nga shoqëria civile apo edhe nga njerëzit e botës akademike.
Veprimet dhe vendimet etike, për nga pikëpamja e një personi, varen shumë nga perceptimi dhe vlerat individuale që ai person mund t’i posedojë. Por, është konstatuar se nuk janë vetëm vlerat dhe karakteristikat individuale që ndikojnë që një person të marrë vendime të pavarura, qofshin ato të ndershme apo jo të ndershme. Vendimet dhe veprimet e njerëzve, sidomos ata që janë të implikuar në botën e biznesit, varen shumë edhe nga influenca dhe ndikimi i personave që e gëzojnë rolin e eprorit (menaxherit).
Sipas këtyre konstatimeve, mund të themi se punonjës, drejtues ose pronarë të bizneseve – persona të cilët mund të kenë vlera të larta pozitive morale dhe personale – nuk do të pranonin të merrnin ndonjë vendim jo të ndershëm. Mirëpo, ekziston edhe pjesa e tjetër e njerëzve që mund të kenë po ashtu nivel të lartë të standardeve dhe vlerave personale, mirëpo në rastet kur ndikohen nga drejtuesit ose bashkëpunëtorët, mund që të marrin vendime që nuk përkojnë shumë karakterin tyre personal. Këto veprime mund të manifestohen në aktivitete dhe funksione të ndryshme të biznesit, p.sh. një kontabilisti mund t’i kërkohet që të manipulojë dhe t’i fsheh të dhënat financiare në mënyrë që biznesi t’i shmanget pagesave të tatimeve, ose, mbikëqyrësit e prodhimit mund t’i kërkohet nga menaxheri i tij që të vendos përqindje më të pakët të lëndës së parë në prodhimin final të produktit dhe jo siç reklamohet në ambalazhin e tij (ose mund të kërkohet nga personi i cili zhvillon testimin e kandidatëve për punësim, ndonjërit ose disave nga kandidatët potencial t’i bëhet plotësimi i testit, në mënyrë që kandidatët të përfitojnë avancim për në fazën e intervistës).
Në një hulumtim të realizuar nga studentët e Fakultetit të Biznesit, pranë Universitetit Publik “Haxhi Zeka” të Pejës, është shfaqur një pakënaqësi shumë e madhe nga të intervistuarit, të cilët e kanë përbërë mostrën e personave që kanë konkurruar së paku njëherë në këto institucione. Një përqindje e madhe e individëve, përkundër kualifikimeve dhe potencialeve të tjera njerëzore që i kanë, në shumë raste nuk kanë arritur të gjejnë punë në ndonjërën nga firmat financiare. Çka është më e keqja dhe më e dëmshmja, përkundër tregut shumë të deformuar të punës që mbretëron në Republikën e Kosovës, edhe ata që punësohen, shumica prej tyre arrijnë të punësohen pa asnjë meritë.
Kur themi pa asnjë meritë, mendojmë në faktin se punësohen individët të cilët në krahasim me individët të cilët refuzohen, posedojnë kualifikime shumë më të ulëta dhe asnjë atribut tjetër shtesë që do të dëshmonte që të jenë më superior se kundër-kandidatët e refuzuar.
Unë mendoj se për një shoqëri dhe për një shtet kaq të ri, siç është Kosova, kjo ka një kuptim shumë negativ, pasi që po ndërtohet një kulturë dhe një traditë e cila nuk i përkon aspak atributeve evropiane dhe botës moderne. Ta mendojmë integrimin dhe ndërkombëtarizimin si shoqëri, na kërkohet të jemi shumë më pozitiv: pozitivitet i mbështetur në cilësi, moral dhe prosperitet.
Dëshira dhe motivi për të punuar si analist kreditor, arkëtar, menaxherë etj., duhet të jetë në rënie e sipër, pasi që vet miti i krijuar – i cili nënkupton se për t’u punësuar në këto firma, kërkohet që të paguash ryshfet për menaxhmentin – kërkon që të gjesh ndonjë lidhje shoqërore, që mund të jetë e ndërlidhur me shumë çështje interesi (dhe nuk kërkon që të shkollohesh, të trajnohesh, të njohësh gjuhë të huaj, të kesh njohuri mbi trendët e zhvillimit të ekonomisë, të kesh njohuri të ndryshme mbi shfrytëzimin e teknologjisë informatike etj.). Të gjithë këtë supozim mund ta quajmë me një term: “zhvlerësim i kapitalit njerëzor nëpërmes vetë kapitalit njerëzor”.
Përfundimishtm mund të vijmë deri tek disa konkluzione, si në vijim:
1. Opinioni i shoqërisë, mbi nivelin e etikës së menaxherëve të firmave financiare në Republikën e Kosovës, nuk është aspak i mirë.
2. Pranimi i kandidatëve jo kompetentë në firmat financiare të Kosovës krijon edhe një in-efektivitet dhe in-efiçencë edhe për vet firmat financiare, pasi që vetë jo kompetenca e tyre nuk garanton një performancë dhe produktivitet të dëshiruar për to.
3. Konstatimin e lartshënuar e dëshmon edhe vet fakti se pak më pak se para një viti, në njërën nga Bankat më prestigjioze Komerciale në Republikën e Kosovës, testin e Matematikës së përgjithshme dhe në atë të Kontabilitetit financiar I, kanë dështuar ta kalojnë me sukses më shumë se 90 për qind të të gjithë të punësuarve.
Mu për këtë fakt kërkohet që:
– Të zhvillohen trajnime në fushën e etikës në biznes, sidomos në firmat financiare, pasi që kjo ndikon në masë të madhe në vetëdijesimin e menaxherëve për të marrë vendime dhe veprime të drejta dhe të ndershme.
– Organet kompetente për hetimin e krimeve ekonomike të jenë më konstruktive në hetimin dhe zbulimin e rasteve të tilla.
– Të merren iniciativa në favor të bashkëpunimit ndërinstitucional, që do të siguronin punësimin e kandidatëve të rinj të cilët posedojnë aftësi dhe shkathtësi të fituara profesionale, në veçanti në mes firmave financiare dhe Universiteteve, pasi që shumica e kandidatëve që aplikojnë për pozita pune në këto firma janë studentë-absolventë ose të diplomuar kryesisht në drejtimet e biznesit dhe të ekonomisë.
– Roli i qytetarëve të jetë më konstruktiv për nga aspekti i paraqitjes së rasteve të njohura tek organet e rendit, raste që sigurojnë informata për t’i zbuluar këto raste të këqija.
(Autori është mësimdhënës në Universitetin Publik të Pejës “Haxhi Zeka” dhe në Kolegjin Evropian “Dukagjini” në Pejë)