Telegrafi

ESTADIO JOSE ALVALADE

(Foto: Patricia De Melo Moreira/EuroFootball/Getty Images/Guliver)

Estadio Jose Alvalade është një stadium në Lisbonë të Portugalisë dhe shtëpia e Sporting Clube de Portugal. Është ndërtuar ngjitur me vendin ku ndodhej stadiumi i vjetër.

Emrin e ka marrë sipas Jose Alvalades, themeluesi dhe pjesëtari i parë i Sporting CP në fillim të shekullit të njëzet.

Stadiumi i mëparshëm Jose Alvalade ishte hapur në vitin 1956, ndërsa kur Portugalia i mori të drejtat për mbajtjen e ‘Euro 2004’, stadiumet në vend duhej të përmirësoheshin, kështu që stadiumi i vjetër u rrënua në vitin 2003 për të krijuar hapësirë për të riun.

(Foto: Patricia De Melo Moreira/EuroFootball/Getty Images/Guliver)

I planifikuar nga arkitekti portugez, Tomas Taveira, mes tjerash, kompleksi përmban një qendër tregtare, kinema, muzeun e klubit, një pavijon sportiv dhe një klinikë. Ndërtimi i përgjithshëm i kompleksit ka kushtuar 162 milionë euro, kurse vetëm stadiumi rreth 121 milionë euro.

UEFA e ka vlerësuar si stadium me katër yje, ndërsa ka një kapacitet prej 50.095 ulëseve dhe është i përgatitur edhe për koncerte të mëdha. Po ashtu, përmban 1.315 vendparkime nëntokësore duke i përfshirë 30 për spektatorët me aftësi të veçanta.

(Foto: Patricia De Melo Moreira/EuroFootball/Getty Images/Guliver)

Hapja zyrtare e stadiumit u bë më 6 gusht 2003 kur Sportingu luajti dhe fitoi kundër Manchester Unitedit (3-1). Në këtë arenë u zhvilluan pesë ndeshje të Kampionatit Evropian të vitit 2004, një prej tyre ishte gjysmëfinalja ndërmjet Portugalisë dhe Holandës, të cilën e fitoi skuadra nikoqire (2-1).

Në këtë stadium është zhvilluar edhe finalja e Kupës së UEFA-s në vitin 2005, në të cilën CSKA Moska e mposhti Sportingun (3-1).

(Foto: Jamie McDonald/Getty Images/Guliver)

Pas ndryshimeve në formatin dhe lokacionet e ndeshjeve të mbetura të Ligës së Kampionëve, Estadio Jose Alvalade është njëri prej dy stadiumeve portugeze ku do të zhvillohen ndeshjet çerekfinale dhe gjysmëfinale të garës më të madhe evropiane për klube. /Telegrafi/