Site icon Telegrafi

A është shalqiri i sigurt për personat me diabet?

Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe

Shalqiri është një frut freskues dhe i shijshëm veror i cili ka një përbërje me plot nutricientë të shëndetshëm

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 049667722

Ndonëse shalqiri konsiderohet i sigurt për diabetikët, janë disa faktorë të cilët duhet pasur parasysh për ta caktuar sasinë dhe shpeshtësinë e konsumimit të tij.

Është e vërtetë se diabetikët duhet të jenë të kujdesshëm me ushqimin në mënyrë që ta mbajnë stabil nivelin e sheqerit në gjak. Dieta me fruta e perime e ndihmon mirëmbajtjen e nivelit të sheqerit në gjak.

Indeksi glikemik (IG) është një indikator se sa një ushqim i caktuar ndikon në nivelin e sheqerit. IG e tregon se sa shpejt sheqeri nga ushqimi kalon në gjak. IG mund të jetë nga 1 deri në 100 (sa më i madh është numri, aq më e shpejtë është rritja e sheqerit në gjak).

Shalqiri e ka IG rreth 76 dhe cilido ushqim që e ka mbi 70 konsiderohet me IG të lartë. Rrjedhimisht, diabetikët duhet ta konsumojnë me masë shalqirin.

Ju mund ta hani shalqirin me ushqime tjera që kanë yndyra të shëndetshme, fibra dhe proteina (siç janë arrat dhe farat). Ky kombinim i nutricientëve ju bën që të ndiheni të ngopur dhe e ul ndikimin e shalqirit në rritjen e nivelit të sheqerit në gjak.

Shalqiri ka shumë vitamina dhe minerale si: vitamina C, vitamina B6 dhe B1, vitamina A, kalium, magnez, hekur, fibra, kalcium.

Vitamina A i mbron sytë dhe ruan funksionin e zemrës, veshkave dhe mushkërive.

Vitamina C është antioksidant i fuqishëm që ndihmon sistemin imunitar (parandalimi i infeksioneve është i rëndësishëm. Tek të gjithë njerëzit, por sidomos për diabetikët).

Fibrat ndihmojnë funksionin e traktit tretës dhe ia lehtësojnë organizmit që t’i eliminojë toksinat. Poashtu, ushqimet me shumë fibra mundësojnë që ta ndieni veten të ngopur gjë që është e mirëseardhur për diabetikët, sepse iu lehtëson mirëmbajtjen e nivelit të sheqerit në gjak.

Uji përbën mbi 90% të shalqirit që e bën frutë me efekt jashtëzakonisht të mirë hidratuese. Përveç këtij efekti pozitiv, ka magnez dhe kalium që ndikojnë pozitivisht në qarkullimin e gjakut dhe në funksionin e veshkave.

Shalqiri poashtu ka citrulinë e cila përmirëson shtypjen e gjakut dhe shëndetin metabolik.

Diabetikët duhet të hanë shëndetshëm dhe shumë fruta e perime.

Pasi që sheqeri i frutave është natyral, diabetikët jodomosdoshmërisht duhet ta monitorojnë sasinë e frutave që hanë ashtu siç duhet të monitorojnë sasinë e ushqimeve që kanë sheqer të shtuar.

Sido që të jetë, diabetikët duhet ta kenë parasysh përmbajtjen e sheqerit dhe të karbohidrateve që kanë frutat dhe nuk duhet ta teprojnë me konsumin e tyre (që të shmangin rritjen e shpejtë të sheqerit në gjak).

Duhet të zgjidhen frutat me pak sheqer dhe me shumë fibra. Poashtu, duhet të shmangen pijet me sheqer.

Frutat që kanë pak ndikim në nivelin e sheqerit janë portokalli, manaferrat, mollët dhe pjeshkat.

Si përfundim, mund të themi se diabetikët mund të hanë në sasi të vogla shalqirin dhe rekomandohet që ta hanë me fruta tjera që kanë yndyra të shëndetshme, fibra dhe proteina.

Bisedoni me mjekun dhe përpiloni një listë dhe një plan të ushqimeve të cilat mund të konsumohen.

/Telegrafi/

Exit mobile version