Site icon Telegrafi

Eroll Salihu nuk e përjashton kandidaturën për kryetar të FFK-së, thotë se duhet pasur respekt për Agim Ademin deri në fund të procesit ndaj tij

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu nuk e ka përjashtuar kandidaturën për kryetar të FFK-së pas zgjidhjes së çështjes së kryetarit aktual Agim Ademi me drejtësinë.

Salihu në një intervistë për “Duelin Ditor” në RTV Dukagjini ka thënë se duhet pasur respekt ndaj kryetarit aktual Agim Ademi dhe të pritet deri në fund procesi ndaj tij.

“E dini që është një çështje e hapur me kryetarin Agim Ademi. Shpresojmë se çështja do të kryhet gjatë kësaj jave. Te ne zakonisht ekzagjerohen gjërat. Nuk është mirë të luajmë me fatin e keq të një personi. Duhet të kuptojmë se zoti Ademi ka dhënë kontribut të madh në futboll, pastaj do të vendos Komiteti Ekzekutiv dhe Kuvendi si organi më i lartë”.

Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së ka thënë se të gjithë duhet t’i përmbahen rregullave ligjore dhe statutit të FFK-së, duke mos e mohuar kandidimin e tij.

“Kandidimi? Të them të drejtën nëse vjen tek kjo, është e hapur për të gjithë në bazë të statutit. Nuk duhet të ketë armiqësi dhe nuk duhet të tejkalohen vijat e kuqe pasi përsëri do të duhet të shihen me sy njëri me tjetrin… T’i përmbahemi disa rregullave morale të gjithë ata që mendojnë se i plotësojnë kushtet për kryetar”.

Ai ka thënë se megjithatë FFK është pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s dhe në këtë drejtim duhet të respektohen rregullat.

Duke folur për Superligën dhe pandeminë, Salihu ka thënë se duhet të mësohemi me pandeminë dhe sipas tij ka vende që janë më keq dhe zhvillojnë gara edhe me shikues.

“Në fund të fundit vendimet edhe për vazhdimin apo jo të kampionatit e merr Ministria e Shëndetësisë”, tha ndër të tjera Eroll Salihu./Telegrafi/

Exit mobile version