Erling Haaland po shkëlqen te Borussia Dortmundi dhe kjo ka tashmë një arsye të mirë për formën e tij të mrekullueshme.
Lojtari 19-vjeçar deri më tani ka shënuar 37 gola në këtë sezon për klube dhe kombëtaren, përfshirë këtu dy golat e mbrëmshme ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.
Babai i lojtarit, Alfie Haaland ka zbuluar se djali i tij ka kopjuar dietën e yllit të Juventusit, Cristiano Ronaldo për t’u bërë më i miri.
“Erling është duke bërë disa sakrifica që të bëhet njëri ndër më të mirët në botë. Është larguar nga shtëpia kur ishte vetëm 16-vjeçar, ku ishte vendosur në Molde dhe mund të them se ai është më profesionist se sa isha unë”, ka thënë ish-anëtari i Manchester Cityt dhe Leeds United për ESPN.
“Patrice Evra më ka treguar për dietën që mbanë Cristiano Ronaldo, duke ngrënë vetëm peshk. Erling tani po tenton të bëjë të njëjtën shkaku që Ronaldo tani është 34-vjeçar dhe ende është në formë të lartë”.
“Kjo dietë natyrisht se po e ndihmon atë që të jetë në formë të lartë dhe ai është i gatshëm që të bëjë edhe tjera sakrifica në mënyrë që të bëhet më i miri”, ka shtuar më tej babai i anëtarit më të ri të Dortmundit.
Norvegjezi ka thyer një rekord, duke u bërë lojtari që arrini të shënojë dhjetë gola në Ligën e Kampionëve, më së shpejti, duke iu nevojitur vetëm shtatë ndeshje. /Telegrafi/