Telegrafi

Erik ten Hag më në fund zbulon detaje nga takimi ‘sy me sy’ që pati me Sanchon

Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag, ka dhënë detaje nga biseda ‘sy me sy’ që pati me Jadon Sanchon, teksa anglezi po përgatitet që të rikthehet në aksion.

Sancho është pjesë e ekipit të Manchester United i cili ka udhëtuar për miqësoren që do të zhvillohet ndaj ekipit skocez Rangers e që është paraqitja e tij e parë për ‘Djajtë e Kuq’ që nga muaji gusht.

Në fillim të shtatorit, dyshja ishin përfshirë në një debat publik për nivelin e Sanchos në stërvitje, diçka që çoi deri në përjashtimin e tij nga ekipi pas humbjes me rezultat 3-1 ndaj Arsenalit.

Sancho u përjashtua nga ekipi i parë pasi nuk i kërkoi falje Ten Hagut, kësisoji duke u rikthyer tek Borussia Dortmundi në formë huazimi për pjesën e dytë të sezonit.

Pritshmëritë ishin që Sancho të shitet, por tani ai është integruar në ekipin e parë pas bisedimeve pozitive me teknikun holandez.

Ani pse Ten Hag kishte refuzuar që të fliste për këtë takim javën e kaluar, ai tani ka folur për bisedën private që pati me Sanchon pas rikthimit të tij.

“Ne folëm mjaft mirë. Të gjithë mund të bëjnë gabime. Ne u sqaruam dhe vazhdojmë tutje. Ky ekip ka nevojë për lojtarë të mirë dhe një gjë është e sigurt: Jadon është një lojtar shumë i mirë”, ka thënë Ten Hag.

24-vjeçari e ndihmoi Dortmundin që të kualifikohet në finale të Ligës së Kampionëve dhe do të shpresojë të ketë një tjetër ndikim pozitiv në ekipin e United./Telegrafi/