Stuhi shiu dhe erëra të fuqishme ka pasur në mbrëmjen e së mërkurës në Pejë, saktësisht nga ora 22:00 dhe ka pasur dëme.
Nga burime brenda policore, merret vesh se shtylla elektrike të tensionit lartë janë rrëzuar në disa pjesë të Pejës, sipas Radio 1, transmeton Telegrafi.
Të njëjtat burime brenda Policisë së Pejës kanë konfirmuar për Radio 1 se përpos shtyllave të energjisë elektrike edhe kontejnerë të mbeturinave të dimensioneve më të mëdha janë rrëzuar.
Të dy këto elemente e rrezikojnë lëvizjen, ndaj qytetarët pavarësisht nevojave eventuale janë apeluar që të evitojnë lëvizjen.
Ndërkaq, Peja në Fokus, njofton se banorët e një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Pejës kanë mbetur tërë natën pa energji elektrike, si pasojë e prishjes së shkaktuar nga erërat e forta /Telegrafi/