Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll po vazhdon me ditën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen eliminatore të EURO 2024 ndaj Ukrainës dhe kontrolluesen kundër Armenisë.
I fundit që mori ftesë nga seleksionuesi Bllagoja Milevski, ishte Erdon Daci, me sulmuesin shqiptar që rikthehet në përfaqësuese pas një kohe të gjatë rikuperimi që kishte pas lëndimit.
Daci ka folur për lëndimin dhe rikthimin e tij, ku thotë se ndjehet mirë dhe është gati për të dhënë më të mirën.
“Kam pasur probleme të futbollit që i ndodhin secilit, por besoj që i kam lënë pas gjithë këto lëndime dhe tani jam gati. Jam këtu me meritat e mia, pasi kam pasur lëndimin një kohë të gjatë dhe më duhej kohë për tu rikthyer”, ka thënë fillimisht Daci.
Sulmuesi ka dhënë pritshmëritë e tij për duelin ndaj Ukrainës, ku mes tjerash thekson se Maqedonia mund të jetë befasia e grupit.
“Pres fitore në të dyja ndeshjet. Normalisht takimi ndaj Ukrainës është më i rëndësishëm, pasi është për kualifikuese. Shpresoj ti kem minutat e mia, do të jetë privilegj për mua. Si gjithmonë do të shkojmë për fitore edhe kundër Ukrainës”.
“Futbolli ka plot befasi dhe nuk është hera e parë që Maqedonia ka befasuar apo mundet të befasojë. Ka kualitet të lartë, ka edhe lojtarë cilësor pse jo mos të befasoj edhe në këtë grup”, përfundoi sulmuesi.
Maqedonia ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Evropian me Ukrainën e luan me 14 tetor, përderisa tre ditë më vonë do të zhvillojë kontrolluesen ndaj Armenisë në Strumicë. /Telegrafi/