Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Stamboll një ditë përpara ceremonisë së inagurimit të gazsjellësit “Turk Stream”, po ashtu presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan, i cili ka kohë që kërkon të kthejë vendin e tij në një qendër energjetike, pritet të qëndrojë së bashku me Putinin në ceremoninë e inaugurimit.
“Turk Stream” është një projekt që është zhvilluar në pesë vitet e kaluara dhe ka kushtuar rreth 8 miliardë dollarë, përcjell Telegrafi.
Gazsjellësi do të transportojë gaz rus në Turqi, me gjysmën e vëllimit që rrjedh më tej në Ballkan dhe Evropën Qendrore, përfshirë Bullgarinë, Serbinë dhe Hungarinë.
Projekti është pjesë e qëllimit afatgjatë të Rusisë për të zvogëluar ose përfunduar tranzitin e gazit përmes Ukrainës.
Në ceremoninë në Stamboll, do të marrë pjesë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar kabineti i tij. Gjatë vizitës, Vuçiq do të takohet me presidentin turk Erdogan, atë rus Putin dhe kryeministrin bullgar Boyko Borisov.
Ky tubacion është pasardhësi i projektit të tubacionit Rrjedha Jugore, ndërtimi i të cilit u braktis nga Rusia në dhjetor të vitit 2014 sepse nuk mund të respektonte rregullat e Bashkimit Evropian, sipas të cilave një kompani nuk mund të zotërojë si gazin ashtu edhe tubacionin. /Telegrafi/