Telegrafi

Erdhi festa e dashurisë

Dita e të Dashuruarve, 14 shkurti, festohet në shumë vende të botës si festë e të dashuruarve dhe festë e miqësisë. Atë ditë çiftet shkëmbejnë porosi dashurie, por edhe lule të kuqe si simbol i pasionit.

Fillimisht festë e kishës katolike, Shën Valentini deri në Mesjetë nuk ka qenë i lidhur me romantizmin, por me dashurinë fizike, derisa tash festohet si ditë e dashurisë dhe të dashuruarve.

Shën Valentini një kohë të gjatë është vlerësuar si dita e të pamartuarve dhe beqarëve, e jo festë e bashkëshortëve. Atë ditë vajzat janë fshehur nëpër fshat dhe kanë pritur nga të rinjtë e fshatit për t’i gjetur ato, ndërsa qiftet e krijuara pas asaj loje duhej të martoheshin pa u mbushur një vit.

Shën Valentini u popullarizua nga mesi i viteve 80-ta në Kinë dhe Tajvan, ku ende ekziston edhe një festë tradicionale për të dashuruarit, Si Sijao Dije, që ka prejardhjen prej një legjende antike. Kjo festë festohet ditën e shtatë të muajit të shtatë të kalendarit hënor.

Ndërsa të njëjtën ditë në Japoni, gratë, sidomos ato që janë të punësuara, duhet t’i dhurojnë burrave dhe kolegëve të tyre çokollata dhe bonbone, nganjëherë edhe shumë të shtrenjta.

Në Tajvan ekziston edhe një festë tjetër, 14 marsi, e quajtur Dita e Bardhë, e cila në të vërtetë është fenomen komercial i shpikur në Japoni, ndërsa pastaj i shpërndarë në Korenë Jugore, Tajvan dhe Hong Kong.

Atë ditë burrat i dhurojnë veshje të bardha ose dhurata tjera të bardha atyre femrave prej të cilave kanë marrë çokollata, ndërsa vajzat kanë të drejtë të kërkojnë dhuratë vlera e të cilës është tri herë më e madhe se vlera e çokollatës, që ato kanë dhuruar një muaj më herët.

Shën Valentini u bë i popullarizuar edhe në Indi dhe Kinë gjë që shkaktoi pakënaqësi të madhe tek disa grupe të cilat janë kundër këtij ndikimi perëndimor.

Shën Valentini festohet edhe në Amerikën Jugore, por në Brazil njihet si Dia dos namorados (Dita e të dashuruarve) dhe nuk festohet më 14 shkurt por më 12 qershor, derisa në Kolumbi festohet të shtunën e tretë të muajit shtator dhe quhet Dia del amor y Amistad (Dita e Dashurisë dhe miqësisë).

Në mbarë botën 14 shkurti është ditë e rezervuar për të dashuruarit, pa marrë parasysh sa vite kanë ata.

Dita e Shën Valentinit, shenjtorit mbrojtës të dashurisë, për shumë njerëz paraqet një fillim të ri të lumtur, ndërsa për ata që ende jetojnë momentet romantike, për shumë arsye është një ditë e veçantë, është shans ideal që “atij” ose “asaj” t’i dhuroni diçka vërtetë të veçantë dhe t’i thoni “Të dua”./Telegrafi/