Telegrafi

Eqrem Kryeziu mbështet kandidatin e AAK-së për kryetar të Prizrenit (Foto)

Pas tubimit të sotëm elektoral të AAK-së në Prizren, ish kryetari i Prizrenit nga radhët e LDK-së, Eqrem Kryeziu, është parë duke pirë kafe me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kandidatin e këtij subjekti politik për kryetar të Prizrenit.

Nuk dihet nëse takimi i sotëm i Kryeziut me krerët e AAK-së, në kafe buzë Lumbardhit, ishte i rastësishëm apo i aranzhuar më herët, shkruan Telegrafi.

Por, në fotografitë e siguruara nga Telegrafi, shihet se Eqa është në disponim të mirë në shoqëri me Haradinajn, Blerim Kuçin dhe kandiadatin e AAK-së për kryetar të Prizrenit, Lulzim Kabashi.

Eqrem Kryeziu, i cili ishte kryetar i Komunës së Prizrenit nga radhët e LDK-së, tash e sa kohë është shumë kritik ndaj ish subjektit të tij politik, LDK-së, ku ishte edhe nënkryetar partie.

Prandaj ky takim dhe këto fotografi mund të kuptohen edhe si një përkrahje e Eqes për Kabashin në garë për të parin e Prizrenit. /Telegrafi/