Sulmuesi dhe kapiteni i Uellsit, Gareth Bale, në një konferencën e fundit për shtyp, ka qenë shumë i ashpër, duke kërkuar që hetime për racizëm të mos zgjatin shumë dhe të veprohet me dorë të ashpër ndaj atyre shteteve që tifozët e tyre bëjnë këtë gjë.
Anglia fitoi me rezultat të thellë 4-0 ndaj Hungarisë si mysafirë, por incidentet me bazë racore ishin ato që tërhoqën më shumë vëmendjen.
FIFA ka nisur menjëherë një hetim ndaj Hungarisë dhe Federatës vendase të futbollit mbi organizimin e ndeshjes, por Bale kërkon që vendimi të merret shpejt dhe të ketë masa të forta, pasi ky është një rast i përsëritur për këtë vend.
“Nuk e di pse bëhen hetime të tilla, që zgjasin pa fund dhe asnjëherë nuk japin dënimin e duhur. Ato që ndodhën në Hungari u panë nga të gjithë dhe nuk ka nevojë për hetime të thelluara”.
“Unë mendoj se duhet të merren masa ndaj tifozëve racistë dhe nëse kjo nuk jep rezultat, të pezullohet edhe vendi që ata përfaqësojnë, pasi kështu mund t’u djegë dhe të tregohen më të kujdesshëm”, ka thënë Bale.
Kapiteni i Uellsit ka shtuar se nëse një shok i skuadrës së tij ngacmohet në baza racore, atëherë nëse ai vendos ta lërë ndeshje edhe Bale do ta bëjë të njëjtën gjë.
“Nëse ndonjë nga shokët e mi të skuadrës preket nga episode të tilla dhe kërkon largimin nga fusha, unë do ta ndjek pas në dhomat e zhveshjes”, përfundoi Bale. /Telegrafi/