Intervistoi: Gazmend Kajtazi
Enveri Petrovci studioi në Prishtinë degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beogradi. Ka kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën dhe filmin e Kosovës, por edhe të ish-Jugosllavisë, duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Petrovci, në ndërkohë ishte tërhequr në Prishtinë për të të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitet; themelon teatrin e të rinjve, ‘Dodona’, dhe ‘Teatrin e babës’.
Ndonëse, vazhdimisht ka dyndje kohe, Enveri sikur e vodhi pak kohë për të zhvilluar këtë bisedë të sinqertë për portalin tonë. Ai zbulon disa prej inserteve të jetës së tij private dhe akademike, ndryshe, ndryshe nga ajo qe keni lexuar e dëgjuar për atë deri më tash.
Nëse për një moment Enver Petrovci do të mbyllë sytë dhe do të kujtojë fëmijërinë, cilat janë imazhet që shfaqen para jush?
Gjëja e parë që më kujtohet në këtë pyetje është tekerleku. Isha një organizator i mirë i garave, në shumicën e rasteve isha i pari. Pastaj, loja me arra…. Ky është imazhi i parë që më kujtohet në fëmijëri. E di që kemi qenë shumë të hareshëm, edhe nuk ngopeshim me lojë.
Meqë e nisëm këtë bisedë nga kujtimet, mund të na thoni ç’tip fëmije keni qenë?
Kam qenë fëmijë me plot gëzim. Nuk ka qenë vetëm fëmijëria ime, por fëmijëria e të gjithë fëmijëve, shokëve, fqinjëve… ka pasur një hare, një gëzim. Të jem i sinqertë, atë gëzim nuk do ta kisha ndryshuar kurrë për fëmijët që sot i shikoj. Fëmijët e sotëm, për dallim prej fëmijërisë sime, kanë kushte shumë më të mira, madje kanë media, televizione, kanë kompjuterë, telefona, etj. Mirëpo, e gjitha kjo i bën të vetmuar. Fëmijëria ime ka qenë pa këto gjëra, por me plot gëzim.
Ndoshta secilit njeri, fëmijëria e tij i duket më e bukur se kjo e tashmja por, megjithatë me këtë moshë që e kam, mendoj se fëmijëria ime ka qenë më e mirë se e babës tim, më e mirë se e fëmijëve të mi. Thjeshtë, kur unë kam qenë fëmijë ka qenë një fazë e bukur, një fazë e zhvillimit, entuziazmit, një fazë pa sherr. Jemi rritur me një sinqeritet dhe unë jam shumë krenar që kam jetuar në atë fazë të historisë së qytetit tim.
Po për adoleshencën tuaj ç’mund të na tregoni?
Adoleshenca ka qenë pak ndryshe prej fëmijërisë. Në adoleshencë filluan ndryshimet historike…unë nuk i përjetova në shpinën time, porse familja ime. Të mos harrojmë, gjërat filluan të zbulohen, dëgjonim për shumë mundime, burgosje, dëbime. Fillova ta kuptoj së jeta nuk është aq e bukur sa mund ta mendoja.
Ç’urë keni kaluar, ç’karrierë keni pasur dhe ç’ngjarje kanë kaluar në jetën tuaj gjatë kësaj kohe?
Kur më pyesin mua, se sa vjeçar jam, u them: kam 2000 vjet. Vërtet e kam pasur një jetë ndryshe dhe plot sfida, një jetë me shumë entuziazëm, ideale, një jetë që, sot, po ta filloja sërish, nuk do të kisha forcë ta përsëris. Mendoj, se shumë ndryshime kanë ndodhur në jetën time; ndoshta edhe vet i kam kërkuar. Unë kam jetuar në një familje, as të varfër, por as të pasur dhe nuk kam qenë aq i sfiduar sa të përjetoj vuajtje, që të jenë inspirim për të përparuar.
Jam i sigurt se fatin tim si aktor e ka vulosur një herë e mirë blerja e aparati televiziv në vitin e largët ‘62, atëbotë i kisha 6 apo 7 vjet. Kur e kanë lëshuar atë mrekulli teknike, e kam pa një botë krejt tjetër. Nuk di çfarë çudie mund të ndodh sot, që një fëmijë të gëzohet si atëherë kur ta ketë parë ekranin televiziv. Shtëpia jonë u bë si kinosallë: vinin plot fëmijë, fqinjë, për ta parë çudinë që quhej televizor. Atëherë kishte program vetëm dy orë, prej 18-20, programi ishte drejtpërdrejtë, s’ka pasë atëherë incizime të gatshme.
Çuditesha, se si kam mundësi që, ajo, folësja e lajmeve, të zvogëlohej dhe të hynte në atë kuti dhe të komunikojë me ne. Mendoja që njerëzit kanë përparuar aq shumë, saqë ndoshta edhe është e mundur. Por, kur e pashë orkestrën simfonike me mbi 100 anëtarë dhe gjitha ato instrumente, që bënin muzikë, thashë: ‘O Zot, një person që zvogëlohet mund ta kuptoja, por se si zvogëlohen 100 vetë, nuk e merrja me mend dot’. Më kujtohet se kisha nevojë të hy brenda në ekran. Nga pamundësia për të hyrë brenda, i kisha thënë prindërve se unë një ditë do të dukem mu sikur ai që po fliste para nesh në kutinë magjike derisa po shikonim me habi. Për koincidencë, më vonë e kuptova që njeriu që po shfaqej në ekran, ishte aktor. Kjo dëshirë kurrë nuk është larguar nga unë; prej atëherë iu kam qasë këtij profesioni dhe ja ku jam.
Më pas gjithçka u lidh me formimin profesional. Duket se ju sikur kishit lindur për dërrasat e teatrit dhe ekranin e filmit?
Në shkollën fillore dhe të mesme, isha orientuar në ato lëndë, që mendoja se më nevojiteshin për aktor. Ka qenë një gabim imi i madh që kam vijuar gjimnazin e jo shkollën e muzikës, sepse më këtë shkollë, sot do të isha një aktor shumë më i përgatitur. Pasi që e përfundova gjimnazin, dëgjova se ekziston shkolla e lartë pedagogjike, ku aty, është dega e artit dramatik, gjegjësisht dega e aktrimit. Fillova ta përcjelli teatrin dhe kinon seriozitet, çdo natë.
E di që blija stripa, romane të vizatuara. I lexoja për shkak të gjuhës që duhej të mësoja dhe kuadrove, se si teksti ilustrohej me vizatim. Më vonë, e bëra strupin e parë në gjuhën shqipe me këngën e Aga Ymerit, që ishte botuar në gazetën ‘Bat’. Kanë qenë 9 faqe të mëdha, pata marrë një honorar të mirë, sa katër rroga e gjysmë të babait tim. Atëherë kisha 16 vjet.
Kur ju ka djegur për herë të parë ajo “flaka” e dashurisë fëmijërore për një femër dhe si?
Si fëmijë, kisha dëshirë të flija nën minder, ose nën tavolinë. Për herë të parë, në një rast, më kujtohet, nën tavolinë, e pashë një grua, që ajo nuk ishte e njëjtë sikur unë, nuk e kishte çukin sikur unë. Ndjeva një emocion të ndryshëm, u skuqa. Më duket se atëherë ende nuk isha në shkollë. Pastaj kur e kam pa maçorrin me mace, bënin diçka që mua më provokoi. Ishte diçka që unë se kisha parë, nuk e kisha ndjerë.
Unë u provokova, ndjeva se edhe unë kam diçka që e ka edhe maçorri. Kisha një nevojë ndryshe, nuk dija ta shpjegoj, por e di që fillova ta fërkoj organin seksual në mënyrë instinktive.
Nuk e keni kuptuar nëse keni dashuruar ndonjëherë, apo nuk thuhet?
Si gjimnazist kam dashuruar për herë të parë, por kurrë s’kam pasur guxim t’i them që e dua dhe e dashuroj. Kur i kam thënë, ka qenë vonë, ose ia kam thënë tërthorazi. Ajo, ndërkohë ka qenë e zënë, bile, bile, krejt vonë e ka kuptuar sa e kam dashtë. Më vonë martohet, bën fëmijë, dhe pas disa vjetësh më lajmërohet, porse unë i thashë se dashuria ime ka vdekë…Dhe, tash nuk ndjej më kurrgjë për të.
Si u njohët me gruan tuaj të ardhshme?
Na ka lidhë pianoja. Unë luaja një rol, në Beograd. Regjisorja gjermane Mira Ercog, na dha një pauzë verore. Unë meqë e luaja kompozitorin, e kisha për detyrë ta luaja Ana Marinë. U ktheva në Prishtinë, u njoftova me profesoreshën e pianos, Valbonën. Kërkova nga ajo që të më mësonte me piano. Unë ia shikoja gishtat dhe vërtetë, nga dita e parë dhe e dytë, unë fillova të mësohem. Në pauza pinim kafe, shoqëroheshim dhe mbetëm shokë shumë gjatë. Një ditë, pas disa muajsh, e kuptuam se kishim nevojë të dilnim vetëm unë dhe ajo. Për sherr u puthëm….dhe e zyrtarizuam atë shoqëri. Kemi mbetur shokë gjithmonë, madje më shumë se dashnorë.
Çfarë ju afroi me Valbonën asokohe? Mendoni ka qenë dashuria, apo ai vlerësimi dhe admirimi reciprok?
Unë mendoj se admirimi ka qenë në pyetje. Kemi qenë shokë shumë të mirë, kemi pasë muhabet ditë e natë, por pas asnjë “sherr”…
Keni dashuruar ashtu siç keni dashur?
Eh, tash kjo është pyetje delikate. Ajo, që kam menduar unë se është dashuri, ta them troç, shqip, e kam ‘dh…në të’! E kam kuptua që kurrë s’kam dashtë. Kur jam bërë prind e kam kuptuar se unë kurrë s’kam dashur, vetëm se ato janë dashuriçka, nevoja fizike, nevoja nga egoizmi, nga krenaria.
Nëse do ta kuptosh se a e do dikë apo jo, pyete veten, nëse i gëzohesh gëzimeve të personit që e do, dije që ti atë person e do, por edhe nëse ti hidhërohesh për çdo hidhërim të tij, atëherë, dije që atë person e do. Pra, nuk ke xhelozi, nuk je lakmitar, por, thjeshtë ti e do. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me personin e gjinisë së kundërt, por edhe me prindër, edhe më fëmijë, shokë, shoqe…
Por, personi i parë që jam gëzuar kur ajo e ka mirë ose është hidhëruar, është Valbona, gruaja ime. Për këtë arsye jam krenar dhe ajo duhet të jetë krenare që dikush dikë e ka dashtë vërtet dhe sinqerisht.
Keni shijuar ndonjëherë shijen e pabesisë në dashuri?
Jo.
Po në marrëdhëniet shoqërore?
Po. Një shembull tipik: ne duhet ta dallojmë mashtrimin nga tradhtia. Ta bësh një flirt me një femër tjetër, nuk është tradhti, ai është mashtrim.
Tradhtia ta shkatërron jetën. Psh., ti i thua dikujt, më prit pesë vjet, unë po shkoj në një vend të caktuar për të punuar. Femra e pret. Mashkulli shkon, martohet me një tjetër dhe pas pesë vjetësh, i thotë: unë jam martuar me tjetrën. Kjo është tradhti. Nuk është mashtrim.
Një tradhti mua, personalisht, ma ka bërë edhe ‘miku’ im, Blerim. Ia filluam të ndërtonim hotel Prishtinën, me idenë time. Ia dhashë krejt paratë që kisha. Në fund ai më tradhtoi, më tha se s’kemi asgjë të shkruar. Sot, pas kaq vjetësh, nuk kam urrejtje ndaj tij, por ai më dhimbset, sepse e ka bërë atë hotel me djersën e shokut të tij dhe se ai për këtë kurrë nuk do fle rehat, as fëmijët e tij, por as fëmijët e fëmijëve të tij.
Të pëlqen flirti?
Po, më pëlqen. Vet natyra e njeriut e shtyn njeriun të flirtojë.
Ç’është erotizmi për ty?
E kam harruar. Çfarë ishte kjo?
Sa herë duhet të ndjejë njeriu erotikën; një herë, apo t’i hapë zemrën sa herë që troket?
Unë mendoj se sa herë që ajo troket, duhet ta hapë zemrën.
Në erotikë ndjeni xhelozi?
Dikur po, tani jo.
Xhelozia është pasiguri apo tregues i lartë i besnikërisë dhe shprehje e vet erotizmit?
Xhelozia nuk është as njëra, as tjetra. Xhelozia është sëmundje që kurrë nuk kalon, është e pashërueshme dhe do t’ia preferoja secilit që është xheloz që të mos martohet nëse është i tillë, se aty nuk ka fat, nuk ka familje, ka vetëm skena të tmerrshme.
Xhelozia është krijuar për ta shkatërruar partnerin.
Thonë se po nuk ndjeve xhelozi për të dashurën nuk e dashuron…
Po, ashtu kam menduar edhe ashtu mendojnë fëmijët dhe ata që nuk dashurojnë. Ata që nuk e njohin se ç’është dashuria. E thashë, xhelozia është sëmundje, ndërsa dashuria është mirësi.
Përreth nesh a ka erotizëm përtej caqeve?
Ka, por nëse ka cak, nuk është erotizëm, por cak. Një interes
Përse burrat turpërohen ta shfaqin dhe shprehin romantizmin e tyre?
Unë mendoj se në vendet provinciale e kemi këtë turp, e kam pasë e ndoshta e kam ende edhe unë. Nuk e kemi guximin të shprehim sinqerisht mendimin tonë, sepse edukata jonë na ka mësuar gabimisht që të rrejmë dhe të mbajmë një vijë të rrejshme ndaj partnerit.
E ke kuptuar pse i tërheq dhe je i pëlqyer nga femrat?
Unë mendoj se nuk jam i pëlqyer prej femrave, por jam më i respektuar. Unë, kurrë profesionin tim as anën materiale nuk e kam shfrytëzuar për pëlqim…kurrë.
Enver, le të themi se sinqeriteti është një nga virtytet e tua të forta. Por, të kthehemi edhe një herë tek profesioni, më parë tek aktrimi. Në rrugën që ju keni bërë drejt skenës dhe kinematografisë, a ju kujtohet shfaqja e parë në ekran dhe si e keni përjetuar atë çast?
Mua më kujtohet shfaqja e parë në skenë, të cilën e luajta në shkollën fillore. Shfaqja quhej ‘Gratë e reja’. Regjinë e pat bërë profesori i fizikës Jonuz Zeqa, i ndjerë. Unë e kam luajtur një plak, kostumet, tirqit, plisin, ia pata marrë gjyshit tim. Rolin e djalit e ka luajtur këngëtari Riza Bytyçi, ndërsa gruan, Lumnije Mikullovci. Pas asaj shfaqje, të gjithë arsimtarët më kanë thënë se unë duhej të shkoja e të bëhesha aktor. Ndërsa në televizion kam dalë për herë të parë në serialit televiziv për fëmijë, ‘Ka qenë një herë një car’.
Krahas zërit të shkëlqyeshëm, veçoheni nga aktorët tjerë edhe me pamjen interesante. Si do ta përshkruanit stilin tuaj?
Të jem i sinqertë, kurrë nuk kam menduar dhe as nuk mendoj se kam ndonjë pamje interesante. Bile, bile, aspak nuk jam i kënaqur me pamjen time. Unë them se, Zoti të gjitha m’i ka dhënë për aktrim, përveç pamjes. Ndoshta, me aktrimin që bëj, e kam adaptuar pamjen time dhe ajo duket interesante.
Deri tashti keni patur shumë angazhime, jeni angazhuar në shumë role. Sikur jeni ndarë në dy pjesë, në pjesën e dedikuar për skenë dhe atë për film. Ku e gjeni vetën më mirë?
Si i ri, nëse më është dhënë rasti të luaj në teatër, film apo televizion, unë pa dilema, pa mëdyshje e kam përzgjedhë skenën. Filmi ka qenë më i lehtë, më largpamës. Me një energji shumë më të vogël, ke pasë mundësi me fituar shumë më tepër para, ndërsa teatri kërkonte përditë prova, përditë ushtrime, kondicion. Tani, meqë jam më dembel, kam një moshë, por ndoshta edhe pse jam bërë aktor, më parë do ta përzgjedhja kamerën, filmin, sepse nuk kam më kondicion si përpara për teatër.
Si ndjeheni përpara “sikurit” të teatrit dhe “të vërtetës” së filmit?
Teatri është si sikuri, ndërsa filmi e kërkon që të jesh sa më i natyrshëm. Më herët jam ndjerë shumë më bukur në teatër. Me ushtrime të shumta, tani, jam bërë i vërtetë, dhe këtë vërtetësi që e kam, më lehtë mund ta jap në film. Por, me sinqeritet e them, mënyra e aktrimit tim, në teatër dhe në film, gati-gati është e njëjtë, sepse unë më nuk aktroj, as në skenë, as në film, por e jetoj dhe jam më i natyrshëm.
Unë, kam më pak frikë në skenë dhe para kamerës, sesa në jetë.
Çfarë paralelizimesh u bëni sot në shoqërinë tonë roleve dhe realiteteve?
Jam munduar që çdo rol që e kam bërë, ta gjej të ngjasim edhe në jetë. Kurrë nuk kam shpikur role, por tekstin kur e kam lexuar, gjithmonë jam munduar ta gjej në personazhet e jetës që i kam takuar, i njoh, ose i paramendoj.
Sot si vazhdon aktiviteti juaj aktorial?
Kam shumë kërkesa, shumë oferta, por jam bërë përzgjedhës i madh, nuk hy lehtë në një rol. Dikur e kam pasë të rëndësishme me qenë roli i mirë, por tashti e kam të rëndësishme kush e ka shkruar atë tekst, kush e bën regjinë, kënd e kam partner, cili është produksioni…
Vazhdimisht thuhet se teatri po i humbë shikuesit. E ndani ju këtë mendim?
Teatri gjithmonë ka pasur kriza, bile ka pasë edhe politikanë në historinë e tetarit që kanë dashtë edhe ta mbyllin teatrin si diçka e panevojshme, por kurrë s’kanë arritë. Teatri është pjesë përbërëse e nevojës shpirtërore të njeriut. Teatri ekziston prejse ekziston njeriu. Por, a ka apo nuk ka publik, është pyetje e gjendjes momentale të shoqërisë. Një shoqëri ku ka publik, flet për rehatinë e asaj shoqërie, nivelin e civilizimit. Ne, nuk mund të themi se sot ka më pak publik se në fëmijërinë time, kjo nuk do të thotë se kjo shoqëri është më pak e civilizuar, por thjeshtë mund të them se, kjo rini, e rritur ne kohën e aparteidit, ka qenë e ndarë prej kulturës dhe pas luftës po investohet pak, ose ma mirë më thënë aspak në kulturë. Pasojat janë të tmerrshme.
A ka hapësirë krijuese tek ne?
Te na ka hapësirë vetëm për tallavaxhinjtë, sepse njerëzit që e udhëheqin politikën e kulturës shqiptare janë vet tallava, kanë nevojë për tallava. Por nuk kanë faj ata, se nuk kanë dijeni, nuk kanë ndjenjë, janë të shkolluar nëpër bodrume ose janë shkolluar pa kulturë. Kjo, tash është pasojë e asaj që thashë.
Si duhet të jetë një aktor komplet?
Kështu si unë. Së pari duhet të ketë entuziazëm, duhet ta dojë aktrimin, të mos shet profesionin për para, e cila e bën të palumtur vet aktorin. Gjëja më e rëndësishme është të dashurojë, të jetë njeri që dashuron. Pa dashuri, nuk mund të jesh artist i madh.
Po të kishe qenë në një vend tjetër, me tjetër mentalitet a mendon se rrjedha jote e jetës personale do kishte ardhur ndryshe?
Absolutisht, po. Mua, përpos talentit që ma ka falë Zoti, por edhe punës e entuziazmit, se talenti nuk mjafton, koha ka qenë gjithmonë kundër meje. Çdo gjë që unë kam dashur ta bëj, koha ma ka prishë. Kur them koha, mendoj edhe për vendin ku kam jetuar, edhe politikat që kanë ndodhur…koha nuk më ka ndihmuar. Edhe mentaliteti i ish-shtetit ku kam jetuar, edhe mentaliteti i shtetit ku tani jetoj, gjithmonë kanë qenë kundër meje. Pra, kurrë nuk e kanë kuptuar, ambicien, entuziazmin tim. Dhe, çka është më e rëndësishmja, edukata ime ka qenë kundër; jam edukuar nga prindërit e mi që të flas shqip, çdo gjë që e kam bërë dhe investuar në jetë, çdo mësim që e kam bërë, marrë nga eksperienca, ëndërr e kam pasë t’ia kthej fëmijëve, të rinjve që flasin shqip. Këtë e kam kuptuar kur jam bërë besimtar absolut, që dijeninë që e kam, t’ia falë dikujt tjetër.
Për çka në jetë nuk keni pasur guxim, e ndoshta akoma e lakmoni atë?
Për shembull, kam qenë i turpshëm, nuk kam pasë kurrë guxim një femre që e kam dashtë, t’i them – të dua, nuk kam pasë guxim me u larguar nga Prishtina, duke e ofenduar nënën time, duke i thënë: ‘Nënë, shkova unë nëpër botë dhe nuk do të kthehem kurrë’. Gjithmonë më ka munduar kthimi, se nënën e kam lënë pa të birin. Nënën time nuk e kam pasur ndihmesë për ambiciet e mia, sepse më ka dashtë shumë.
Për çfarë ju vjen më tepër keq?
Më vjen keq që nuk jam shkolluar në një gjuhë botërore. Shumë energji kam harxhuar në një gjuhë lokale, përndryshe karriera ime do të ishte ndryshe.
Enver, si ndodhi që u gjende pjesëmarrës në spektaklin ‘Dancing the Stars’?
Thjeshtë, me ftesën e Vera Grabockës. Në fillim e refuzova sepse më duhej që 4 muaj të qëndroja atje, por Verës s’ka njeri që i thotë – jo. Ajo, kur don diçka, e bën. Unë shkova për një kohë të shkurtë, por unë kur nisem për diku, e mendoj mirë dhe thashë, po shkoj se dua të fitoj…dhe fitova. Madje këtë, secili prej ekipit e ka ditur dhe e kam thënë publikisht, se do të jam fitues. Kjo është ajo që dua te them, nuk bën të nisesh në një punë, pa ambicie, pa bindje absolute që je më i miri.
Ky spektakël për ty ishte një sprovë apo garë?
Ta them të vërtetën, kur hyra në fillim, më pëlqente kjo për shkak të shëndetit, për shkak të kondicionit fizik, e ndjeja veten më të shëndetshëm, më të fuqishëm.
Vallëzimi ka qenë ndonjëherë pasioni yt?
Sigurisht, kërcimi ka qenë dashuria ime.
Si je ndier përkrah Çiljetës?
Unë fitova me balerinën Loreta Bala, Çiljeta ka qenë konkurrentja ime. Këtu pata rastin t’i ndryshojë paragjykimet e mia për shumë njerëz që i kam takuar atje. Çiljeta më ka habitur për inteligjencën dhe njerëzimin që e ka, një vajzë shumë e mirë, një shok shumë i mirë. Për të mirë më ka habitë edhe Agnesa Vuthaj, një zonjë, një vajzë e qetë, që çdo njeri kishte pasur qejf me e pasë shok, me e pasë afër. Vesa Luma, poashtu, një vajzë e mirë, e hareshme, shok i mirë. Shpat Kasapi, një djalosh shumë i këndshëm, shumë i thjeshtë…Pata rastin të njihem me ta dhe vërtetë, jo unë, por asnjëri prej tyre, nuk e ka pasur ambicien që t’i bëj konkurrentit keq për të fituar vet.
Cila është aventura më e bukur që ke bërë ata muaj sa ishe në Tiranë?
Unë, për katër muaj ndoshta kam dalë nëpër restaurante vetëm katër herë dhe këtë nuk ma beson askush. Vetëm kam punuar.
A pritet ndonjë risi nga Enver Petrovci dhe cilat janë projektet për të ardhmen?
Nëse them se do të aktroj nuk është risi, nëse them se do të bëj regji, nuk është risi. Risi e re imja do të jetë albumi me këngët e mia, jam kantautor, kam shkruar tekstet dhe këndoj vet. Orkestrimin do ta bëj dikush tjetër. Kjo është një sfidë për mua dhe befasia për ata që më duan edhe ata që nuk më duan. Këngët janë me tekst që thonë diçka, nuk do të jenë këngë për shkak të këngës.
Ta them të vërtetën, idhulli im në këtë botë, është Muharrem Qena, i ndjerë. Për mua, kjo Tokë, nëse ka lindë një artist komplet, ai ka qenë Muharremi.
Jashtë skenës dhe preokupimeve si nis një ditë e zakonshme për ju?
Unë zgjohem herët, e pi një kafe vet, shikoj lajmet, ndoshta gjumi më merr edhe nja gjysmë ore dhe zgjohem atëherë kur zgjohet krejt bota. Vazhdoj me familje, shikoj çfarë planesh kam, shkoj në orë kur kam ligjëratë. Në mbrëmje, pyes veten, se a kam ndonjë ide për të shkruar… nëse nuk kam ndonjë ide të re, e lë për të nesërmen. Por, nuk harroj ta pyes veten, për çdo ide të re.
Kam qejf me qenë i rëndomtë, jo i thjeshtë, se është ofenduese, por i zakonshëm. Kam qejf të luaj shah, shoqërohem me ish-studentët ose studentë e mi, kam dëshirë të rri me fqinj…
Ku të pëlqen të kalosh pushimet?
Aty ku ka njerëz të mirë. Unë bëj dy lloj pushimesh. Kur kam nevojë të pushoj, zgjedh një vend ku s’ka shumë njerëz dhe meditoj. Ndoshta për 24 orë, nuk i them krejt 5 fjali. Kjo, më së tepërmi zgjat 5 ditë ose pesë net, pastaj filloj të lodhem prej atij pushimi. Pushimet tjera janë aktive, kam dëshirë të shkoj te ata njerëz që ndjehem mirë, pi kafe dhe bashkëbisedoj.
Çfarë nuk pëlqen te vetja?
Pirja e duhanit.
Cilin ves nuk mund ta përmirësosh kurrë?
Aq shumë e dua Atdheun sa që më është bërë ves.
Cila është filozofia e jetës tënde?
Dashuro dhe fal dashuri.