Trajneri i Kombëtares së Spanjës, Luis Enrique ka folur në konferencë pas ndeshjes së barazuar me Poloninë në kuadër të Grupit E në Euro 2020.
Spanja nuk ka arritur më shumë se një barazim 1-1 ndaj Polonisë në ndeshjen e dytë të Grupit E.
Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Alvaro Morata (25’) për Spanjën dhe Robert Lewandowski (54’) për Poloninë.
Ekipi i Enriques e ka dominuar ndeshjen ndaj polakëve të Paulo Sousas, por nuk ka arritur ende ta shijoj fitoren, pasi u ndal me barazim dhe kjo nuk i ka pëlqyer aspak trajnerit spanjoll, i cili ka qenë kritik pas ndeshjes.
“Unë kam dëshirën më të madhe për të parë dhe analizuar ndeshjen. Ajo nuk na ka lënë me ndjenjën më të mirë – ndoshta ne ishim ekipi dominues, por nuk ishte e mjaftueshme për të marrë fitoren”, ka thënë fillimisht Enrique pas ndeshjes.
“Më pëlqente sesi luajti Polonia. Ata krijuan shanse të pastra. Ne ndoshta u përpoqëm shumë dhe e tepronim me gjërat në vend që të krijonim mundësi të pastra. Humbja e penalltisë ishte për të ardhur keq sepse ishte në një moment absolutisht të rëndësishëm”.
“Sinqerisht, mendova se do të ishim në gjendje të imponoheshim më shumë – por nuk mundëm. Një rezultat shpesh mbulon të metat në një performance. Kur rezultati nuk është pozitiv, ai kërkon një analizë edhe më të afërt”.
“Ne donim ta fitonim këtë ndeshje, pa dyshim. Por një barazim na lë mundësinë për të fituar grupin nëse mundim Sllovakinë. Askush nuk tha që kjo do të ishte e lehtë”, përfundoi trajneri i Spanjës. /Telegrafi/