Site icon Telegrafi

Ëndrra gjithnjë e më pranë, si mund të ndodhë kualifikimi direkt i Shqipërisë

Danimarka ka 11 pikë, po aq sa kombëtarja jonë, por ndodhet në vendin e dytë falë golit të shënuar tetorin e kaluar në “Elbasan Arena”.

Nëse përfaqësuesja daneze dhe ajo shqiptare do të kenë numër të njëjtë pikësh në fund të këtyre eliminatoreve, atëherë do të jenë nordikët ata që do të shkojnë direkt në ‘Euro 2016’.

Por, shanset që të ndodhë diçka e tillë janë të pakta, pasi Shqipëria ka edhe tri ndeshje për të luajtur, dy në shtëpi dhe një si mysafir, ndërkohë që danezët e Morten Olsen kanë edhe dy ndeshje, të dyja si mysafirë, ndaj Armenisë dhe Portugalisë.

Falë këtij kalendari, kuqezinjtë e drejtuar nga De Biasi tashmë i kanë vetë në dorë fatet e kualifikimit direkt.

Skenari i parë dhe më i vështiri për kualifikimin direkt është që kombëtarja në tri ndeshjet e mbetura të grumbullojë plot shtatë pikë, dy fitore dhe një barazim, në mënyrë që asgjë të mos jetë e varur nga rezultatet e Danimarkës.

Ndërkohë, nëse Shqipëria barazon me Portugalinë të hënën dhe Danimarka humbet në Armeni, atëherë kuqezinjtë marrin vendin e dytë dhe kanë shansin më të mirë për të mos e lëshuar më, pasi ndeshja e fundit e nordikëve do të jetë ajo kundër Portugalisë në Lisbonë.

Nëse Shqipëria humbet me luzitanët dhe nordikët fitojnë në Armeni, atëherë rezultati i Portugali-Danimarkë do të jete vendimtar për ecurinë e mëtejshme të kuqezinjve.

Por, nëse kombëtarja jonë në fund të eliminatoreve nuk arrin të kalojë danezët, ajo ka edhe një tjetër shans për t’u kualifikuar direkt në ‘Franca 2016’.

Ekziston mundësia që kuqezinjtë të pozicionohen si skuadra e tretë më e mirë e nëntë grupeve, çka sjell sërish kualifikimin direkt.

Për momentin kombëtarja e De Biasit renditet e para në klasifikimin e të tretave më të mira, me pikë të barabarta me Hungarinë, që ka edhe një ndeshje më shumë dhe golavarazh më të dobët se kuqezinjtë.

Në këtë renditje Shqipëria është paksa më e favorizuar, pasi ndodhet në grup me pesë skuadra dhe kombëtareve të tjera që pozicionohen në vendin e tretë në grupet e tyre respektive u hiqen pikët e marra me skuadrat e fundit në grup. /TCH/

Exit mobile version