Telegrafi

Ende pas asnjë fitore në Formula 1, Hamilton ia lë fajin makinës të tij

Piloti britanik Lewis Hamilton vazhdon të vuajë këtë sezon në Formula 1, ndërsa tani ka deklaruar se vetura e tij është në gjendje katastrofike dhe se i duket se nga gara në garë është në gjendje gjithnjë e më të keqe.

Piloti që ka fituar shtatë tituj të Formula 1 në karrierën e tij nuk mund të gjejë ritmin e duhur këtë sezon dhe siç thotë vetë, sa më shumë që ai dhe kolegët e tij përpiqen të rregullojnë dhe përmirësojnë makinën, aq më keq është.

“Asgjë nuk funksionon … Russell dhe unë shkuam krejtësisht ndryshe për të parë nëse njëra mënyrë funksionon dhe tjetra jo. Ne duhet ta shihnim se si ishte, dhe nëse më pyet mua, ishte katastrofike”.

“Është sikur makina po bëhet gjithnjë e më keq… Sa më shumë të përpiqemi, aq më të pakënaqur jemi”, ka thënë Hamilton.

Hamilton aktualisht është në vendin e gjashtë në renditjen e përgjithshme dhe ka marr 62 pikë deri më tani këtë sezon, që janë 88 pikë më pak se Verstappen i vendit të parë.

Ai ka fituar vetëm një vend në podium këtë sezon dhe nuk ka fituar asnjë pole position dhe është ende pa fitore. /Telegrafi/