Një nga anijet më të mëdha në botë për transportimin e mallrave me kontejnerë, ka mbetur e ngujuar në Kanalin e Suezit nga e marta, pasi erërat e forta dhe stuhitë e rërës bën që ajo të lëviz paksa.
Megjithatë edhe sot në ditën e tretë, anija është akoma e bllokuar në kanalin më të rëndësishëm, ku 10 për qind e mallrave në nivel global kalojnë përmes tij, transmeton Telegrafi.
E pavarësisht se në anijen gjigante shkruan me shkronja të mëdha “EVERGREEN”, shumë persona gabimisht po besojnë se bëhet fjalë për emrin e anijes. Emri i saj i vërtetë është “Ever Given” dhe më poshtë ju sjellim arsyen.
Anija është në pronësi të korporatës Evergreen nga Tajvani që ka edhe 39 anije tjera me të cilat bën transportimin e mallrave të ndryshme.
Për shkak të madhësisë së anijeve, 20 prej tyre mbajnë shkronjë G të madhe (Giant apo gjigant) si për shembull “Ever Goods”, “Ever Gaining” dhe “Ever Giant”.
E anija që ka ngecur në Kanalin e Suezit është 400 metra e gjatë dhe 60 e gjerë, dhe për shkarkimin e kontejnerëve në tokë me raste nevojiten me ditë të tëra. /Telegrafi/