Me një regji të përsosur, shokët e tij e kishin aftësuar makinën, ashtu siç ka qenë para aksidentit dhe në prag të fillimit të garës në Grashticë, Bardhin e sollën në pjesën më atraktive të shtegut. Derisa ai po i shijonte rrezet e diellit, shoku i tij, Iliazi, ia behu me BMW-në e riparuar deri në detajet më të vogla, moment ky që e la pa fjalë jo vetëm Bardhyllin, por të gjithë ata që nuk e dinin planin e hartuar.
Bardhyl Canolli kurrë nuk do ta harrojë 11 shtatorin e këtij viti. Atë ditë, derisa po merrte pjesë në garën që zhvillohej në Krujë, automobilisti ynë e “kishte parë vdekjen me sy”, pasi përjetoi një aksident të tmerrshëm. Mirëpo, Bardhi nuk do ta harrojë as 1 tetorin e këtij viti, por këtë datë për shkak të një emocioni krejt ndryshe. Shokët dhe të afërmit e tij i kishin përgatitur një befasi, e cila është vështirë të përshkruhet me fjalë. Me një regji të përsosur, ata e kishin aftësuar makinën e tij, ashtu siç ka qenë para aksidentit dhe në prag të fillimit të garës në Grashticë, Bardhin e sollën në pjesën më atraktive të shtegut. Derisa ai po i shijonte rrezet e diellit, shoku i tij, Iliazi, ia behu me BMW-në e riparuar deri në detajet më të vogla, moment ky që e la pa fjalë jo vetëm Bardhylin, por të gjithë ata që nuk e dinin planin e hartuar. “Nuk kam fjalë të përshkruaj këtë moment. Kjo është befasia më e madhe që më ka ndodhur ndonjëherë dhe nuk do ta harroj kurrë në jetën time”, është shprehur Canolli.
Për të realizuar diçka e tillë nuk ishte aspak e lehtë, sepse, nëse Bardhi do ta kuptonte më herët, mundi i një ekipi të tërë do të shkonte huq. “Kurrë nuk e kam imagjinuar një skenar të tillë, ju betohem se as në ëndërr nuk e kam parë. Nuk gjej fjalë për t’i falënderuar Zijadin, Iliaz e Kastriot Makollin, Valon Rexhepin, Selman Osmanin, Burim Berishën dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë befasi”, ka shtuar Canolli, i cili megjithëse ende është duke u trajtuar në spital, të shtunën doli në Grashticë për t’i parë shokët e tij në garë.
Pranë tij kishte shumë njerëz, e në mesin e tyre pa dyshim edhe mekaniku Zijadin Makolli, i cili dje hoqi një barrë të madhe nga vetja. “Përveç punës së madhe që kemi bërë, kryesisht natën, ne kemi pasur edhe presion, sepse qëllimi ynë ka qenë që sa më pak njerëz të marrin vesh për planin tonë. Falë Zotit gjithçka shkoi ashtu siç e kishim menduar dhe sigurisht që jemi të kënaqur që sot po e shohim Bardhin me një disponim tjetër”, ka thënë Makolli, i cili më pas ka shtuar: “Ideja për të ndërmarrë këtë aksion ka lindur vetëm pak orë pas aksidentit në Krujë, madje rrugës gjatë kthimit për në Prishtinë, menjëherë pasi u vërtetuam se Bardhi do të jetë në gjendje që sërish të kthehet në automobilizëm”.
Ndërkohë, vetë Canolli i thotë edhe disa fjalë për aksidentin. “Ai moment ka qenë vërtet i tmerrshëm, por Zoti ka dashur që unë të jem sot këtu. Unë besoj fuqishëm tek Zoti dhe vetëm falë tij sot po i përjetoj këto emocione”, ka theksuar Bardhi, i cili shpreson që sa më shpejt të gjendet në shtigjet e garave.