Site icon Telegrafi

Emilano Sala vdiq para katër vitesh, tek tani Cardiff City pagoi këstin e parë te Nantes për transferimin e tij – palët vazhdojnë të jenë në gjyq

Emiliano Sala (Foto: Getty/Goal)

Cardiff City i ka paguar Nantesit këstin e parë të tarifës së transferimit për futbollistin argjentinas Emiliano Sala, i cili vdiq në një aksident ajror katër vjet më parë.

Sulmuesi argjentinas vdiq në një aksident mbi Kanalin Anglez në janar 2019, ndërsa udhëtonte nga Franca në Cardiff.

Uellsianët pretenduan se 28-vjeçari Sala nuk ishte zyrtarisht lojtari i tyre kur vdiq dhe refuzoi të paguante rreth 15 milionë euro dëmshpërblim.

Edhe pse argjentinasi ishte tashmë në Uells, ai iu nënshtrua ekzaminimeve mjekësore, nënshkroi kontratën, por u kthye në Francë për t’u dhënë lamtumirën bashkëlojtarëve. Ai vdiq në rrugën e kthimit nga Cardiff.

FIFA më pas e ndëshkoi Cardiffin me një ndalim transferimi për tre afate kalimtare të transferimeve, pas së cilës klubi apeloi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Një panel prej tre anëtarësh i CAS dëgjoi apelimin në Lozanë në fund të vitit të kaluar dhe vendosi që Cardiff City duhet të paguajë kompensim.

Uellsianët kanë paguar tashmë pjesën e parë, e vlerësuar në rreth shtatë milionë euro.

Megjithatë, Cardiff ka apeluar kundër vendimit të CAS në Gjykatën Federale të Zvicrës dhe vendimi pritet gjatë muajit shkurt. /Telegrafi/

Exit mobile version