Bisedoi: Shaqir Foniqi
Ema Imeri deri më tashti e ka sprovuar veten (me sukses) në film, në drama, në vallëzim, në koreografi, në skeçe, në poezi, në recitime dhe në këngë, duke fituar edhe çmime të rëndësishme. Të krijosh në provincë, është sikur të shohësh një ëndërr të bukur, por ëndrrat nuk duhet gjuajtur me gurë, sepse, pastaj zemra bëhet gur,e guri bëhet zemër; pra, krijohet togfjalëshi zemërgur!
Na i përmendi angazhimet tuaja në këto fusha, Ema?
Qysh si fëmijë kam filluar të shkruaj poezi dhe të recitoj, ku shumë herë jam shpallur recituesja më e mirë e shkollës dhe e komunës sime. Meqë kam marrë guxim për shkrim, së shpejti do të dal me përmbledhjen e parë me poezi ‘Lufta dhe Dashuria’, por, t’i kthehem edhe njëherë rrjedhës së karrierës sime modeste. Në Festivalin ‘T’i këndojmë Lirisë, kam fituar vendin e parë si valltare autentike (origjinale), me vallen e Shotës, bashkë me të ndjerin, valltarin e talentuar, Bislim Mehaj, po ashtu aktor i Teatrit të Skënderajt. Dy vjet kam punuar si koreografe në Teatrin e këtij qyteti, kurse më vonë jam angazhuar në filmin e Adem Mikullovcit ‘Nusja e Sadullahut’, ‘Bukurija’, në rolet kryesore, kurse më vonë jam angazhuar në disa skeçe me Lecin, Cimën, Zenel Tufen, etj. Aktualisht jam duke u përpjekur për ta realizuar një spot muzikor me titull ‘Kam frikë mos po të humbas’, ku shpresoj se do të pritet mjaft mirë nga publiku, mirëpo, kjo punë kërkon shumë mund dhe përkrahje. Të shpresoj se do t’ia dal mbanë. Të shohim se si do të ecin punët.
Deklaruat se shkruani edhe poezi, madje i këndoni luftës dhe dashurisë, por titulli i librit tuaj do të jetë Loti dhe deti.
Po, titulli i vëllimit tim poetik do të jetë Loti dhe deti. janë disa përsiatje të mia, të cilat, besoj shpalosin edhe botën e brendshme, të trazuar të shumë moshatareve të mia. Mirëpo, ka edhe lot të gëzimit, nuk ka vetëm lot të hidhërimit. Loti i gëzimit mund të bëhet sakaq loti i hidhërimit dhe e kundërta.
Mund të quheni vajzë me shumë talent dhe më pak përkrahje?
Kjo është mëse e vërtet. Kultura kudo që është, nuk trajtohet mirë, madje as në kryeqytet, e lëre më në provincë, por unë i inkurajoj të gjithë talentet që të mos dekurajohen, sepse arti dhe kultura gjithmonë janë trajtuar njësoj, por vlerat një ditë depërtojnë, sepse ato janë si uji, që e shpojnë edhe gurin. Unë falënderoj Zotin për talentin dhe familjen time për përkrahjen e pakursyer brenda mundësive të tyre, prandaj i falënderoj shumë, pa fund!
Meqë e përmendet dashurinë, është e dashuruar, Ema?
Ema është e dashuruar, hë për hë, vetëm në art, hahat, ndërsa mashkulli që Ema e kërkon ende nuk e ka shijuar dashurinë që mund t’ia ofrojë (nuk e di kush do të jetë ai, le të lajmërohet sa nuk është bërë vonë, hahah)…Janë një kategori e njerëzve të pasur, të cilët mendojnë se dashurinë mund ta blejnë me para. Ata mund të kenë sukses vetëm tek femrat naive dhe me moralin zero. Dashuri dhurohet, falet, fitohet, por kurrsesi nuk blihet. Disa njerëz të pasur, mund të jenë të veshur në ar, por, pa dashuri, prapë, mbesin lypsar!
Ju folët se si duhet të duket mashkulli, por si duhet të jetë femra?
E sjellshme, e dinjitetshme, e moralshme, e shkolluar dhe, natyrisht e bukur… E di se, aktualisht që të dy e kanë vështirë, edhe femra edhe mashkulli. Disi ka ndryshuar shumëçka dhe ka hyrë në mes shumë dyshim, sikur, askush askujt nuk i beson, ose i beson me rezervë. Pra, duhet krijuar raporte miqësore dhe duhet luftuar xhelozia e sforcuar, e cila shkon deri në mani! Femrën e bën të dinjitetshme, dinjiteti dhe morali i fortë, kurse mashkullin serioziteti dhe besnikëria!
Si kalohet një ditë në provincë?
Për sa i përket jetës argëtuese, provinca nuk e arrin qendrën, por fal internetit, TV-së dhe formave të tjera, jeta, pothuajse nuk ndryshon shumë nga ajo që bëhet në Prishtinë. Po e shihni, femrat vishen kudo njësoj, dëgjojnë të njëjtën muzikë, janë të bukura njësoj… kafenetë njësoj… vetëm mbrëmjet ndryshojnë. Unë, ndjehem mirë në qytetin tim dhe i falënderoj bashkëkombësit e mi, të cilët më respektojnë dhe më çmojnë, por edhe më përkrahin në çdo hap.
Diçka për fund?
Të përkrahen talentet kudo që janë (pa kushtëzime), të bëhet decentralizimi i kulturës dhe të mos lejohet shuarja e talenteve, vetëm pse nuk janë në qendër. Kultura nuk njeh gjeografi, as miqësi, ajo lind dhe zhvillohet vetiu, por duhet përkrahur dhe ndihmuar pa paragjykime dhe pa lidhje farefisnore e gjinore, klanore. Mjerë ai njeri që nuk është në vendin e vet, por e vendosin si kukull pa pushtet dhe autoritet. Autoriteti nuk dhurohet me dekrete dhe letra, por fitohet. Arti nuk e pranon intervenimin, sepse skena është hakmarrëse e tmerrshme. Le të mbesin në skenë, vetëm ata që e meritojnë skenën. /Telegrafi/