Site icon Telegrafi

Prishtina eliminohet nga St Joseph’s, kartonët e kuq të Dallkut dhe Bekteshit vulosën humbjen

Prishtina është eliminuar që në raundin paraeliminator nga klubi i Gjibraltarit, St Joseph’s me rezultat të përgjithshëm 3-1, pasi në ndeshjen e dytë ka humbur 2-0.

Humbja erdhi si pasojë e dy kartonëve të kuq të marr nga mbrojtësit Armend Dallku dhe Leotrim Bekteshi, që të dy në fillimin e pjesës së dytë, kur rezultati ishte baras.

Prishtina ishte më e mirë në pjesën e parë, por si zakonisht siç ka ndodhur prej se Mirel Josa është trajner, ka munguar konkretizimi.

Armend Thaqi, Lorik Boshnjaku dhe Gauthier Mankenda kishin raste të mira, por që nuk arritën ta tundnin portën.

Kur pritej që në pjesën e dytë skuadra të ndryshojë për të mirë, ndodhi e kundërta.

Bekteshi fillimisht u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa pas tij Dallku kishte të njëjtin fat pas ankesave në gjykim.

Armend Dallku (Foto: FC Prishtina)

Kjo ua lehtësoi punën ishullorëve, që nga ai moment filluan edhe të sulmonin, pasi Dallku dhe Bekteshi i lanë shokët me nëntë veta në fushë.

Federico Villar e gjeti golin e parë në minutën e 75-të gjë që pothuajse ua siguroi kualifikimin vendasve.

Dilemat i zhduki Juanfri që shënoi në minutën e 80-të.

Deri në fund nuk kishte asgjë për tu veçuar, ku pas kësaj humbje, Prishtina i thotë lamtumirë Evropës me një paraqitje aspak të mirë. /Telegrafi/      

Exit mobile version