Site icon Telegrafi

Eli Fara vjen me albumin “Të dua për vete”

Këngëtarja korçare Eli Fara, që në vitin ’89 do të rrëmbente zemrat e publikut me këngë si, “25 gërsheta”, “Qeraxhi i Grebenesë”, etj, vjen këtë herë jo vetëm me baladat e saj, por edhe me këngë të reja. Në këtë intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, ajo rrëfen jetën dhe karrierën e saj, evenimentet e kësaj vere, çmimet e merituara në “Mbrëmjen korçare” dhe në “Maratonën e këngës popullore”, por edhe marrëdhëniet e saj me vajzën 22-vjeçare, Marina. Le të ecim së bashku.

Sapo keni lançuar albumin tuaj të ri. Çfarë do të përmbajë ai dhe si ka qenë rruga e tij për të ardhur deri këtu?

Eli:
Albumi del pas katër vitesh dhe titullohet, “Të dua për vete”. Është një bashkëpunim me kompozitorë, poetë dhe muzikantët më të mirë të Shqipërisë, si Edi Balili, Shpëtim Saraçi, etj. Albumi përmban dhjetë këngë, shtatë këngë janë të reja. Këngët “25 gërsheta” dhe “Qeraxhi i Grebenesë”, janë pjesë e albumit, pasi edhe pas 20 vjetësh ato pëlqehen pafund, dhe nga ana tjetër nuk i konsideroj si këngë të mia, por si vlerë të këngës shqiptare, i shoh si perla të muzikës sonë që ia vlen të ushqesh shpirtërisht çdolloj brezi.

Ju keni edhe një këngë shkodrane në album. Cila është lidhja juaj me Shkodrën?

Eli: Po, është një fakt që njihet tashmë, për këngën qytetare janë dy qytete që shquhen, Korça dhe Shkodra. Ne këndojmë këngë nga të gjitha trevat, por muzika shkodrane krijon një efekt të veçantë. Këngët shkodrane janë këngë që unë i këndoj me qejf dhe mendoj se janë këngë që më shkojnë, e kjo është arsyeja që unë e kam bërë këngën “Po ti ça i ke thënë dikuj”, pjesë të këtij albumi tim.

“Të dua për vete”… Kë do Eli Fara për vete?

Eli: Të gjitha gjërat që i dua, dua t’i kem plotësisht për vete. Në fakt, nuk jam aq egoiste sa mund të dukem nga kjo frazë që sapo përmenda, por “Të dua për vete” është thjesht vargu i një kënge korçare që mua më pëlqen shumë dhe nga ana tjetër, të gjithë njerëzit i duan gjërat për vete, por kjo këngë është edhe mjaft melodioze dhe e bukur. Ka shumë gjëra që njeriu i do për vete.

Ç’do të thotë një album në karrierën tuaj Eli?

Eli: Është një ngjarje në jetën time. Një album është një eveniment që sjell diçka në jetë dhe që do të jetë e përjetshme. Them se është shumë e rëndësishme kur e mendon kështu, pasi është diçka që do të mbetet edhe kur unë nuk do të jem më, ose le të themi, kur nuk do të këndoj më.

Dhe, a kanë ardhur tek ju reagimet e para ndaj tij?

Eli: Po, dhe reagimet e para kanë qenë pozitive. E normalisht, unë jam ende duke pritur reagimet e njerëzve. Ndihem mirë kur e dëgjoj që njerëzit e vendosin në makinë, në lokale etj, dhe padyshim ndihesh mirë kur u sjell njerëzve kënaqësi.

Keni pasur oferta për të bërë një këngë komerciale?
Eli: Jo, aspak. Nuk mendoj se është për mua kënga komerciale, edhe sikur ajo të jetë fitimprurëse.

Dhe nuk do të bënit nëse kushtet do t’jua kërkonin një gjë të tillë?
Eli: Puna e të bërit të gjërave komerciale lidhet me kompensimin e me një gjë tjetër, që është sipërfaqësore në tipin e show-t vulgar, që për momentin shijohet, por të nesërmen nuk vlerësohet. Ju jeni e pranishme në koncerte ku ka një publik të përzier.

Nuk do ta bënit këtë edhe sikur t’jua kërkonin ata?
Eli: Ka ndodhur në fakt që kërkojnë këngë të tilla, por unë nuk e kam bërë sepse nuk di këngë të tilla. Unë mendoj se kam lindur për gjë tjetër dhe jam për këtë, e nuk e përfytyroj dot veten ndryshe.

Le të kalojmë sërish tek albumi. Karrierën tuaj më së shumti vitet e fundit e zhvilloni në diasporë. Keni menduar ta shpërndani këtë album edhe në vende të tjera jashtë Shqipërisë?
Eli: Kontrata për shpërndarjen e albumit në Shqipëri është bërë nga shtëpia diskografike “Elrodi Muzik”. Për momentin nuk kam bërë ndonjë plan për ta shpërndarë jashtë Shqipërisë, por do ta shoh edhe mundësinë për ta shpërndarë në Evropë, por sigurisht nëse ia vlen, nëse jo, nuk e bëj se nuk mendoj se duhet ta fal një punë kaq të lodhshme dhe kaq të bukur. Gjatë kësaj vere ju keni qenë mjaft e pranishme në Shqipëri.

Na kujtoni disa momente të turneve tuaja?
Eli: Në fakt, muaji që shkoi ka pasur disa ngjarje të bukura. Ka qenë një mbrëmje muzikore në qytetin tim në Korçë, ku edhe kam qenë vlerësuar pas kaq vitesh nga artistët shqiptarë me një çmim nga Bashkia e qytetit, për veprimtarinë time artistike. Në këtë mbrëmje më ka kënaqur publiku korçar, pasi pritja ka qenë madhështore. Ndërkohë ka qenë edhe çmimi si “Figura më e spikatur e muzikës popullore”, në Maratonën e Këngës Popullore. Gjithashtu, më datë tetë gusht, në kalanë e Lëkursit në Sarandë, është zhvilluar një koncert madhështor, ku unë kam mbetur e surprizuar, jo vetëm nga dyndja e njerëzve, ku nga tre mijë veta aty kanë qenë gjashtë mijë, por edhe nga reagimi i publikut që shoqëronte dhe duartrokiste çdo këngë timen. Këto janë momente të pakrahasueshme në jetën artistike të një këngëtari. Koncerte që lënë shenjë në karrierën e çdokujt.

Këtë verë ju jeni shpërblyer me çmime, ndërkohë që gjatë karrierës suaj keni pasur edhe mjaft të tjerë. Cili ka qenë vlerësimi që ka lënë më shumë gjurmë tek ju?
Eli: Padyshim ka qenë vitit ’89, me “Mbrëmje e Muzikës Popullore”, show i parë shqiptar, ku unë fitova çmimin e parë por edhe u bëra e njohur nga gjithë publiku.

Sa i rëndësishëm është fati për ju?
Eli: Fati është i rëndësishëm, se nuk është vetëm fillimi, por është i rëndësishëm edhe vazhdimi.

Keni një karrierë të konsoliduar dhe të suksesshme. Cila është ëndrra juaj për të?
Eli: E vetmja gjë që më vjen ndër mend, është që nuk e kam pasur dhe nuk e di a do ta kem mundësinë e menaxhimit tim, të kem një jetë artistike shumë më profesionale. Pasi ne i bëjmë të gjitha gjërat vetë, por nëse ke një mjeshtër, një drejtues artistik, do të kishin qenë gjërat më ndryshe, mënyra e të punuarit primitivisht më ka lodhur. Ka shumë rëndësi mënyra e të organizuarit të koncerteve, pasi të gjithë që organizojnë koncerte, mendojnë se sa do të fitohet nga ky koncert, por jo se si do të drejtohet kënga dhe se si do të jetë programi që do të këndohet në këtë koncert.

Ju këndoni në shumë vende në diasporë, cili është publiku që ju kënaq më shumë?
Eli: Është publiku i emigrantëve shqiptarë në Greqi, që akoma kanë qejf të dëgjojnë muzikë të pastër shqiptare të traditës. Megjithatë e vërteta mbetet që, kur këndohet kënga “Shqipëri, o nëna ime”, apo “Qeraxhi i Grebenesë”, ka një magji tjetër, aty e ndjen se çfarë bëhet.

Keni menduar të vendoseni përfundimisht në Shqipëri?
Eli: Tani për tani me vajtjeardhje, pasi nuk mund ta bësh karrierën artistike në një vend.

Pas albumit keni bërë ndonjë projekt tjetër, për shembull, një koncert recital?
Eli: Tani sapo ka dalë albumi dhe pasi të kthehem nga Shtetet e Bashkuara Të Amerikës, do të bëj një klip për një nga këngët e albumit. Më pas do të shoh dhe nëse më jepet mundësia të gjej menaxhimin, grupin, padyshim që do të mendoj edhe të realizoj një koncert recital.

Cila është ëndrra për të ardhmen tuaj?
Eli: Ëndrra ime është që në të ardhmen të jem e kënaqur me çfarë kam bërë dhe çfarë kam lënë. Dua që ta kem shpirtin të ushqyer.

Ndërkohë, si ia bëni që keni një pamje dhe një rini, le të themi të tejzgjatur?
Eli: (Qesh) Le të themi, harmonia që kam. Megjithatë, shpeshherë pamja e jashtme është dhuratë e Zotit, është në gen dhe është fat të jesh mirë.

Kur mërzitet Eli?
Eli: Kur më zhgënjejnë njerëzit.

Ju keni një vajzë, Marinën. Cilat janë marrëdhëniet tuaja me të?
Eli: Si gjithë nënat që mendojnë më të mirën për fëmijën e tyre. E keqja është që ne veprojmë me shpirt e jo me logjikë, e kjo sjell situata të ndryshme, po e rëndësishme është që kjo ngelet një marrëdhënie e pakrahasueshme.

Do të pëlqenit që ajo të ndiqte të njëjtën rrugë si ju?
Eli: Jo në mënyrën se si e kam përballuar jetën. Nuk më vjen keq, por për të bërë jetën përmes këtij profesioni, do të isha e shqetësuar se kam parasysh këtu veten time sa jam lodhur dhe është më mirë të ketë jetën e qetë./summerpages/

Exit mobile version