E ardhmja e sulmuesit italian Stephan El Shaarawy duket se do të jetë në Romë.
Edhe pse u flit se lojtari mund të largohet pas interesimit të Fiorentinës dhe Olympique Marseille, një gjë e tillë nuk do të ndodhë.
Sipas La Gazzetta dello Sport, krerët e Romës kanë pasur një takim të suksesshëm me lojtarin dhe agjentin e tij.
Kontrata aktuale e El Shaarawyt me Romën skadon në verën e vitit 2020, por që do të zgjatet edhe për dy vite të tjera.
Në kontratën e re do të ketë edhe një rritje page për lojtarin nga dy në 2,4 milionë euro në stinor, por me bonuse mund të arrijë në tre milionë euro.
26-vjeçari është kthyer në formën e tij më të mirë këtë edicion, duke shënuar gola dhe duke asistuar.
Në 10 takime në Serie A, El Shaarawy ka shënuar pesë gola me fanellën e Romës ndërsa ka asistuar në dy të tjerë.
Reprezentuesi italian iu bashkua Romës tri vite më parë nga Milani për 16 milionë euro. /Telegrafi/