Telegrafi

‘El Classico’, kush do të fitojë

Derbi më i madh në botë këtë sezon përveç që bashkon dy skuadrat me rivalitet më të madh, në të njëjtën kohë bashkon skuadrat me pikë të njëjta, me entuziazmin e njëjtë për të shkruar historinë. Edhe Real Madridi edhe Barcelona do të kërkojnë fitoren të shtunën dhe kushdo që do të fitojë, qofshin ata Merengezët apo Blaugranët, një gjë dihet – krahas futbollit kualitativ dhe përballjeve të hekurta në të njëjtën kohë vendoset dhe titulli në kampionatin spanjoll, La Liga.

Kush do të fitojë në ‘el Classicon’ e 160-të?

Vështirë e parashikueshme. Duke parë formën tejet stabile të Real Madridit, nuk përjashtohet një triumf i vendasve, por natyrisht nën disa kushte. Nëse ndodh që madhëria e Messit të ketë fjalën e tij, atëherë do të dihet që në fillim epilogu përfundimtar. Më poshtë do të gjeni hollësitë mbi gjasat e skuadrave për të fituar ‘el Classicon’.

Çfarë duhet të bëjë Real Madridi për të fituar takimin?

Të ndërpres komunikimin e mesfushorëve ofensivë të Barcelonës me sulmin e po të njëjtës skuadër. Dikush do të shtronte pyetjen se si do të arrihet kjo kur dihen mesfushorët e nivelit të ‘ulët’ të Realit? Alonso mungon sigurt dhe alternativat e vetme mbeten Lassana Diarra, Granero, Marcelo dhe Guti. Këta katër lojtarë do të duhet të ndalin maestro Messin dhe depërtimet e tij sikurse në stërvitje rutinore. Pellegrini këtë e arriti në takimin e parë por harroi të izolojë një tjetër futbollist, Xavi Hernandezin. Xavi dhe madhështia e tij, mund të jenë pikante në çdo moment të sfidës, pasi që me veprat e tij artistike ai është në gjendje të vë para portës kundërshtare edhe Victor Valdesin. Nëse Reali ndal Xavin dhe Messin, madrilenët do të dalin fitues në ‘el Classico’.

Si të ndalen forcat ofensive të Barcelonës?

Pellegrini është njeriu i parë bashkë me Guus Hiddinkun që e kanë gjetur formulën e thyerjes së Barcelonës. Dueli i parë ‘el Classico’ në Camp Nou është shembull perfid se si të ndalet Barcelona. Mjeshtrit, Messi dhe Xavi ndoshta nuk do të ketë problem t’i ndalë Pellegrini, por para së gjithash duhet të paralizojë tërë sulmin, duke përfshirë, Iniestan që nëse ‘vallëzon’ si zakonisht, atëherë gjasat e Realit janë të vogla për triumf. Pellegrini duhet të përqendrojë lojën në mesfushën defensive me presion të vazhdueshëm në ofensivë. Në të njëjtën kohë ai do të arrinte të ndal pasimet madhështore të Xavit dhe Iniestas me ç’rast do ndalej dhe Messi, e nga ana tjetër do të zgjohej nga varri Ronaldo së bashku me ‘el Pipitan’ – Higuanin që mezi pret rastin për të tejkaluar Messin në listën e golashënuesve.

Por, si duhet të dënohet Barcelona?

Kaka mungon sigurt në ‘el Classico’, por ende nuk i dihet sepse mund të ndodhë që ai të futet në lojë. Për këtë arsye, në sulmin e Real Madridit barrën kryesore do ta ketë Cristiano Ronaldo. Ky njeri do të duhet të kujdeset se si të shpartallojë mbrojtjen e çeliktë të Barcelonës. Ai për këtë do ta ketë ndihmën e Higuainit që do të mund të shoqërohet nga legjenda Raul, përvoja e të cilit mund të jetë esenciale në çdo moment të sfidës. Guti gjithashtu mbetet opsion për të ‘ushqyer’ sulmuesit e uritur të Realit.

Betejat kyçe të ‘el Classicos’?

Messi vs Ronaldo? Jo, absolutisht që jo. Messi në këtë ndeshje vështirë se do të mund ta ketë hapësirën dhe lirinë sikurse ndaj Arsenalit, ku vërtetë i tregoi dhëmbët e tij. Kur jemi te Ronaldo, portugezi e ka rastin ideal për të treguar vlerën e tij, kur do të mundohet t’i japë leksion Puyolit si në takimin e parë të Camp Nou. Padyshim, beteja kryesore do të jetë në mesfushë. Nëse Real Madridi arrin të ndal mesfushën e Barcelonës, atëherë takimi do të bëhet tejet i nxehtë. Natyrisht, mund të presim dhe lojë tejet të hapur pa kurrfarë kalkulimesh që vështirë se do të ndodhë marrë parasysh rëndësinë e takimit.

Por, si do të funksionojnë mbrojtjet e skuadrave?

Liderë të mbrojtjeve do të jenë pa kurrfarë dyshimi, nga njëra anë Victor Valdes dhe nga ana tjetër portieri Iker Casillas. Casillas mund të bëhet hero në këtë takim kur dihet se intervenimet e tij mund të vendosin fatin e titullit këtë sezon. Mbrojtja e Barcelonës nga ana tjetër është jashtëzakonisht e fortë dhe vështirë e thyeshme. Megjithatë, gabimet e bëra ndaj Arsenalit tregojnë edhe njëherë jo precizitetin në mbrojtjen blaugrane që mezi pret të dënohet nga Higuain. Mbrojtja e Realit nga ana tjetër është e hendikepuar, por mund të funksionojë mirë kur dihet forma e mirë e Sergio Ramosit, Raul Albiolit dhe Alvaro Arbeloas që mund të bëjnë diferencën dhe të ndalin sulmin e rrufeshëm blaugran për të cilin fjalët janë të tepërta.

Bernabeu si faktor?

Fushëbeteja e Santiago Bernabeut kësaj radhe do të presë dy prej ushtrive më të forta me komandantët me disiplinën më të lartë të mundshme në betejat e tyre. Për armatën Los Blancos, Bernabeu do të jetë një motiv shtesë për t’u hakmarrë për disfatën turpëruese të vitit të kaluar shkaktuar nga ushtria katalunase një vit më parë. Ndikimi i fushës së Bernabeut do të jetë vërtetë i madh kur dihet se këtu mund të mbarojë lufta për titull në La Liga.

Epilogu

Pak u fol për sulmin e Barcelonës, por një gjë është e sigurt – Barcelona mund të mposhtë Real Madridin në çdo moment me këtë sulm. Për këtë arsye, Real Madridi do të fokusohet që të sulmojë dhe të mbrohet me një baraspeshë të caktuar nga fillimi i takimit, në mënyrë që edhe të dënojë Barcelonën por edhe mos të pranojë nga ajo ndonjë gol fatal. Janë dy mundësi në ‘el Classico – ose do të shohim lojë tejet të mbyllur, ose do të shohim lojë maksimalisht të hapur. Loja e mbyllur do t’i përshtatej më shumë Real Madridit pasi që në atë mënyrë nuk i lejohen hapësirë Barcelonës dhe anasjelltas. Takimi sipas parashikimeve edhe pse vështirë i parashikueshëm do të përfundojë pa fitues.

Sidoqoftë, tifozët e njërës dhe palës tjetër duhet të dinë se Pellegrini nuk do të lejojë që ky rast t’i ikë nga dora dhe këtë herë të arrijë atë që nuk e arriti në Camp Nou. Sfida e parë i shërbeu atij për të mësuar dobësitë e kësaj skuadre të ‘pamposhtshme’, por nëse analizoni nga cilido kënd, do të vëreni se ndeshja ‘el Classico’ është një vrimë e zezë më vete që gjithnjë ka qenë, është dhe do të mbetet e paparashikueshme.

Pa marrë parasysh epilogun e takimit, ndeshja do të jetë një spektakël i vërtetë, ndoshta përballja më e mirë e këtij sezoni dhe padyshim ndeshja ku do të përballen dy shenjtorët e futbollit, Lionel Messi i madhërishëm përballë Cristiano Ronaldos së uritur për t’ia thithur suksesin të ashtuquajturit ‘el Messiah’.

Parashikimi: Real Madrid 2-2 Barcelona

Ju vizitorë të nderuar, çfarë mendoni për këtë analizë dhe parashikim mbi ‘el Classicon’? Cili është parashikimi juaj?

/Telegrafi/